Dronë, helikopterë dhe forca speciale, kush janë dy shqiptarët që tentuan të grabisnin shtëpinë e William dhe Kate?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2026, 12:46

Mediat britanike kanë bërë publikë emrat e dy shqiptarëve të arrestuar pas incidentit të regjistruar në rezidencën private të Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk. Bëhet fjalë për Mirgen Dokun dhe Arilen Ndocin, të cilët dyshohen për përfshirje në hyrjen e paligjshme në pronën mbretërore.

Sipas gazetës britanike “The Sun”, dy personat dyshohet se kanë hyrë në ambientet e Anmer Hall, rezidencës që ndodhet në kompleksin Sandringham Estate dhe që përdoret nga familja e Princit dhe Princeshës së Uellsit.

Raportimet bëjnë me dije se njëri prej të arrestuarve kishte qëndruar në Britani në mënyrë të parregullt, pasi afati i kërkesës së tij për azil kishte përfunduar. Për personin tjetër nuk janë publikuar të dhëna mbi statusin e tij të qëndrimit në vend.

Ngjarja u zbulua mbrëmjen e 23 nëntorit, pas një sinjalizimi në polici për praninë e personave të dyshimtë në territorin e pronës mbretërore.

Pas alarmit, autoritetet britanike vunë në lëvizje një operacion kërkimi, ku përveç forcave të policisë u përdorën edhe qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare. Kontrollet përfunduan me lokalizimin dhe arrestimin e dy shqiptarëve brenda territorit të rezidencës.

Doku dhe Ndoci vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe motivet që i çuan ata në pronën mbretërore.

William dhe Kate nuk ndodheshin në rezidencë gjatë incidentit

Në momentin kur u raportua hyrja e dyshuar në pronë, Anmer Hall nuk kishte banorë. Këtë e ka konfirmuar Policia e Norfolkut, duke bërë të ditur se Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën familjare në Windsor.

Anmer Hall është një nga pronat private të çiftit mbretëror. Ajo iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011 dhe përdoret kryesisht për qëndrime gjatë fundjavave dhe pushimeve familjare.

Nuk është hera e parë që cenohet siguria në pronat mbretërore

Rasti i fundit vjen në një kohë kur siguria e rezidencave të familjes mbretërore britanike është vënë disa herë në pikëpyetje.

Në tetor të vitit 2024, persona të maskuar depërtuan në territorin e Kështjellës Windsor dhe arritën të vidhnin dy automjete nga një ndërtesë bujqësore.

Ndërkohë, në vitin 2021, një tjetër incident alarmoi autoritetet, pasi një person i armatosur me hark dhe shigjetë u kap brenda ambienteve të kështjellës. Ai u dënua me nëntë vite burg, pasi pranoi se kishte kërcënuar Mbretëreshën Elizabeth II.

Edhe më i pazakontë mbetet rasti i vitit 1982, kur një person arriti të depërtonte deri në dhomën private të Mbretëreshës Elizabeth II në Pallatin Buckingham. Në atë moment, monarkja ndodhej në shtratin e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit