United me buxhet të limituar në merkaton e janarit, Pochettino ka vetëm 50 milionë paund për dy përforcime

25 Nëntor 2026
12:47
Telesport
back button

Një periudhë e vështirë transferimesh e pret Mauricio Pochettino te Manchester United. Sipas ‘Daily Mail’, klubi do t’i vërë në dispozicion trajnerit më pak se 50 milionë paund për të forcuar një skuadër që aktualisht po has vështirësi në Premier League.

Humbja e thellë 4-0 ndaj Liverpool nxori në pah madhësinë e sfidës që e pret trajnerin argjentinas, por kufizimet financiare bëjnë të pamundur ndonjë ndryshim rrënjësor në janar.

Strategjia e klubit është të përqendrohet në dy përforcime, duke shfrytëzuar ndoshta edhe huazimet. Objektivat kryesore janë një sulmues qendre dhe një mbrojtës, ndonëse po vëzhgohet edhe pozicioni i mbrojtësit të majtë.

Për mbrojtjen, ka dalë në pah emri i Nathan Collins (Brentford). Opsione të tjera, si Calvin Bassey (Fulham) dhe Jarrad Branthwaite (Everton), janë më të ndërlikuara. Madje vlera e këtij të fundit, i kalon 70 milionë paund.

Me burime kaq të kufizuara, trajneri i ri nuk mund të lejojë asnjë gabim. Plani është të bëhen ndërhyrje të mirësynuara, duke shmangur lëvizjet e kushtueshme dhe afatshkurtra që i kanë shkaktuar probleme klubit në të kaluarën.

Afrimi i një sulmuesi në huazim do të lejonte ruajtjen e fondeve për mbrojtjen. Për më tepër, një mbrojtës qendre polivalent mund ta ndihmojë Pochettino të zbatojë një linjë mbrojtëse më të avancuar, stil të cilin ai e preferon.

Mbetet për t’u parë nëse një buxhet nën 50 milionë paund do të jetë i mjaftueshëm për të transformuar skuadrën dhe për ta larguar atë nga zona e rrezikut në renditje. Nëse rezultatet nuk përmirësohen para janarit, United mund të detyrohet t’i rishikojë planet.

Për momentin, sfida e Pochettino do të jetë të nxjerrë më të mirën nga lojtarët që ka tashmë në dispozicion dhe të gjejë dy përforcime të afta për të dhënë një kontribut të menjëhershëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit