Britani, një kategori e re pronarësh po ndryshon tregun e qirave
Tregu i banesave me qira në Mbretërinë e Bashkuar po pëson një transformim të rëndësishëm. Ndërsa pronarët individualë po përballen me rritjen e kostove, taksave dhe kërkesave rregullatore, institucionet e mëdha financiare dhe kompanitë e pasurive të paluajtshme po zgjerojnë praninë e tyre në sektorin e qiradhënies.
Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2021, Lexi Levens, infermiere e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS), mori një letër nga pronari i apartamentit ku jetonte me qira, nëpërmjet së cilës njoftohej se ajo, bashkëshorti dhe katër fëmijët e tyre kishin dy muaj kohë për t’u larguar.
Pronari kishte përdorur atë që në atë kohë njihej si njoftimi sipas Nenit 21, i cili i mundësonte të dëbonte familjen nga banesa pa qenë i detyruar të jepte ndonjë arsye.
Levens, së bashku me organizatën bamirëse për strehimin Shelter, nisi të lobonte pranë qeverisë për përmirësimin e të drejtave të qiramarrësve.
Ligji për të Drejtat e Qiramarrësve, i cili hyri në fuqi në maj të këtij viti, ndaloi dëbimet pa shkak dhe e bëri gjithashtu të paligjshëm refuzimin e dhënies së banesave me qira për familjet me fëmijë.
Pronarët nga të cilët Levens kishte marrë banesa me qira në atë kohë ishin një fenomen i zakonshëm për tregun anglez të banesave: individë që zotëronin një ose një numër të vogël pronash.
Shumë prej këtyre pronarëve të vegjël shprehen se ligji i ri i ka vënë nën presion. Rritja e normave të interesit, rregulloret e reja dhe ndryshimet tatimore, përfshirë disa prej masave të prezantuara në buxhetin më të fundit, po ua vështirësojnë aktivitetin. Disa prej tyre kanë vendosur të shesin pronat.
Ndërkohë, sipas agjencisë së pasurive të paluajtshme Savills, viti 2026 pritet të shënojë një tjetër rekord investimesh nga institucionet e mëdha në segmentin që në industrinë e pasurive të paluajtshme njihet si Build to Rent (BTR), ose ndërtimi i banesave posaçërisht për dhënie me qira.
Ky model konsiston në ndërtimin nga zhvillues të mëdhenj të komplekseve të apartamenteve apo banesave familjare për t’u dhënë me qira, një praktikë e përhapur në disa vende të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vend që të komunikojnë me një pronar individual apo një agjenci qiradhënieje, qiramarrësit i marrin banesat me qira drejtpërdrejt nga kompani të mëdha.
Por, a përfaqëson ky ndryshim një profesionalizim të mirëpritur të sektorit britanik të qiradhënies? Apo qiramarrësit do të humbasin avantazhet që ofrojnë marrëdhëniet më të afërta me pronarët individualë?
Korporatat po zgjerojnë praninë në treg
Sipas anketës më të fundit të qeverisë për pronarët privatë të banesave në Angli, 83% e tyre zotërojnë katër ose më pak prona, të cilat përbëjnë 51% të kontratave të qirasë.
Sipas një studimi të vitit 2024 nga Savills, rreth 40% e banesave që jepen me qira në SHBA dhe Gjermani zotërohen nga institucione të mëdha, qofshin këto kompani private, shoqëri të listuara në bursë, fonde pensioni apo kooperativa. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo përqindje ishte vetëm 3%.
Por tregu i qirave po ndryshon. Tendenca është më e dukshme në Angli, ku ndërtimi i banesave posaçërisht për qiradhënie ka njohur zhvillim të shpejtë në qytetet e mëdha dhe ku zbatohet Ligji për të Drejtat e Qiramarrësve.
Megjithatë, projekte të këtij lloji po zhvillohen edhe në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut. Edhe në këto vende, autoritetet po vendosin rregulla më të rrepta për aktivitetin e pronarëve, siç është rasti i kontrollit të qirave në Skoci.
Mbështetësit e këtij modeli argumentojnë se institucionet e mëdha kanë më pak gjasa të diskriminojnë qiramarrësit në bazë të preferencave personale dhe mund të ofrojnë standarde më të larta administrimi.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se kompanitë që operojnë sipas modelit BTR janë pronarë më të mirë. Përveç mungesës së marrëdhënieve personale, një nga shqetësimet kryesore është niveli më i lartë i qirave krahasuar me ofertat e pronarëve individualë.
Qira më të larta, por më shumë shërbime
Në Cardiff, Grainger, zhvilluesi më i madh britanik i listuar në bursë në segmentin BTR, aktualisht ofron një apartament tip studio, plotësisht të mobiluar, në katin e 20-të të kompleksit The Copper Works, në qendër të qytetit, me pamje nga gjiri, për 1,265 paund në muaj.
Kjo shumë është ndjeshëm më e lartë se një ofertë aktuale në platformën Rightmove, vetëm 15 minuta në këmbë nga qendra e qytetit: një apartament plotësisht i mobiluar, me një dhomë gjumi, në katin përdhes dhe me kopsht, për 800 paund në muaj.
Megjithatë, banorët e kompleksit The Copper Works kanë akses falas në palestër, sallë kinemaje, tarracë dhe sallë lojërash. Ata përfitojnë gjithashtu internet Wi-Fi falas, shërbim recepsioni, linjë telefonike asistence dhe ambiente të tjera të përbashkëta.
Për më tepër, apartamenti tip studio ka një certifikatë të performancës energjetike të kategorisë B, krahasuar me kategorinë C të apartamentit me një dhomë gjumi që ndodhet pak më larg.
Helen Gordon, drejtuese ekzekutive e Grainger, argumenton se kompanitë që operojnë sipas modelit BTR mund t’i ofrojnë këto shërbime falë përmasave të aktivitetit të tyre.
“Nëse administroni 11,000 banesa, mund t’i lejoni vetes të investoni në sisteme, procedura, personel dhe linja telefonike asistence, gjëra që pronarët e vegjël nuk mund t’i përballojnë”, shpjegon ajo.
Kompanitë organizojnë gjithashtu aktivitete sociale për banorët, me synimin për të krijuar një ndjenjë komuniteti brenda komplekseve të banimit.
Ky është një model i përhapur në të gjithë sektorin BTR: çmime më të larta në këmbim të banesave që promovohen si prona me cilësi të lartë dhe një pakete të gjerë shërbimesh. Madje, disa operatorë të sektorit përdorin termin “klientë” në vend të “qiramarrësve”.
Numri i banesave të ndërtuara posaçërisht për qiradhënie është trefishuar ndërmjet viteve 2019 dhe 2025. Edhe pse aktualisht ato përfaqësojnë vetëm 3% të tregut të përgjithshëm të qirave, Gordon beson se kjo përqindje mund të arrijë të paktën në 10% gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Për qeverinë, përqendrimi i administrimit të banesave me qira në duart e institucioneve të mëdha, përfshirë fondet e pensioneve, institucionet financiare dhe kompanitë e listuara në bursë, mund të lehtësojë mbikëqyrjen e sektorit dhe zbatimin e rregulloreve, krahasuar me një treg të fragmentuar mes një numri të madh pronarësh individualë.
Politikat qeveritare favorizojnë transformimin e tregut
Një raport i porositur nga qeveria në vitin 2012 arrinte në përfundimin se shtimi i banesave të ndërtuara posaçërisht për qiradhënie mund të kontribuonte në rritjen e ofertës së banesave dhe të nxiste zhvillimin ekonomik, duke u ofruar njëkohësisht qiramarrësve më shumë alternativa dhe banesa me cilësi më të lartë.
Raporti rekomandonte që qeveria qendrore dhe autoritetet vendore të mbështesnin zhvillimin e sektorit BTR, nëpërmjet vendimeve të favorshme në planifikimin urban dhe vënies në dispozicion të tokave publike.
Qeveritë dhe autoritetet vendore duket se i kanë marrë në konsideratë këto rekomandime.
Drejtuesit e qyteteve të mëdha, veçanërisht të Londrës dhe Mançesterit, kanë bashkëpunuar me zhvilluesit e pasurive të paluajtshme për realizimin e projekteve të mëdha të strehimit, të cilat në shumë raste kanë përfshirë vënien në dispozicion të tokave publike.
Zona King’s Cross në Londër është një shembull i rëndësishëm i këtij modeli. Një tjetër shembull është nisma e kryetarit të Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, për zhvillimin e projekteve BTR pranë pronave të autoritetit të transportit të Londrës (Transport for London – TfL), kryesisht në afërsi të stacioneve të metrosë.
Në kuadër të kësaj nisme, TfL krijoi një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë Grainger.
Lucian Cook, drejtues i kërkimeve për tregun e banesave në Savills, argumenton se zhvillimi i këtij sektori nuk duhet parë si rezultat i një politike, qeverie apo autoriteti vendor të caktuar, por si pasojë e një sërë politikash publike të ndërmarra që prej fillimit të viteve 2010.
Ndër to përfshihen ndryshimet në lehtësitë tatimore për interesat e kredive hipotekore dhe rritja e normave të taksës mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme për banesat e dyta dhe pronat e blera me qëllim dhënien me qira.
Këto masa, të prezantuara nga konservatorët rreth dhjetë vjet më parë, e bënë sektorin më pak të favorshëm për pronarët e vegjël.
Më pas u prezantuan Ligji për të Drejtat e Qiramarrësve dhe kërkesa më të rrepta për eficiencën energjetike të banesave.
Dy buxhetet e fundit kanë parashikuar gjithashtu rritjen e tatimit mbi të ardhurat nga qiratë, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ky ndryshim tatimor zbatohet për individët që japin prona me qira, por jo për kompanitë BTR, të cilat paguajnë tatimin mbi fitimin e korporatave, duke nxitur më tej profesionalizimin e sektorit.
Megjithatë, ndërsa shumë ekspertë i mirëpresin këto ndryshime, të tjerë argumentojnë se ato po i detyrojnë pronarët e vegjël të largohen nga tregu.
Sipas Cook, politikat e ndërmarra kanë konsistuar më shumë në masa shtrënguese për pronarët e vegjël sesa në stimuj për kompanitë e sektorit BTR.
Ndërmjet viteve 2000 dhe 2016, tregut të qirave në Angli iu shtuan në terma neto 2.74 milionë banesa, sipas një analize të të dhënave qeveritare nga Fondacioni Joseph Rowntree.
Në dhjetë vitet që pasuan, shtesa neto ishte vetëm 200,000 banesa. Për qiramarrësit, tashmë ka më pak gjasa që prona ku jetojnë të zotërohet nga një pronar i vogël.
Pronarët individualë shprehin gjithashtu shqetësime për fuqinë financiare dhe ndikimin në vendimmarrjen qeveritare të kompanive të mëdha të pasurive të paluajtshme.
Çfarë do t’i ndihmonte realisht qiramarrësit?
Shumë ekspertë, shoqata të pronarëve dhe organizata të qiramarrësve bien dakord se ndërtimi i më shumë banesave, qofshin ato për dhënie me qira apo për shitje, do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë prej problemeve të sektorit.
Ndërtimi i më shumë banesave për qiradhënie, me kusht që qytetarët të kenë mundësi t’i përballojnë financiarisht, do të ndihmonte në zbutjen e mungesës së ofertës, e cila mund të nxisë rritjen e çmimeve të qirave dhe t’i detyrojë qiramarrësit të jetojnë në banesa me cilësi më të ulët.
Nga ana tjetër, ndërtimi i më shumë banesave për shitje, me çmime të përballueshme, do të mundësonte largimin nga tregu i qirave të atyre personave që dëshirojnë të zotërojnë një banesë, por aktualisht janë të detyruar të jetojnë me qira.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse oferta e banesave do të rritet në të ardhmen.
Sipas Savills, zhvillimi i projekteve BTR mund të ngadalësohet, pasi normat e larta të interesit dhe rritja e kostove të ndërtimit vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi fitimet e zhvilluesve.
Janë pikërisht këta faktorë që kompanitë e ndërtimit të banesave përmendin si arsye për reduktimin e aktivitetit të tyre.
Ritmi aktual i zhvillimit të projekteve BTR nuk do të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën për banesa me qira, të paktën jo në të ardhmen e afërt.
Për më tepër, ndonëse disa zhvillues të sektorit ndërtojnë banesa familjare me qira më të përballueshme në zonat periferike, investimet vijojnë të përqendrohen kryesisht në komplekset e apartamenteve të destinuara për qiramarrësit me të ardhura më të larta në qytete.
Kjo rrit rrezikun që Mbretëria e Bashkuar të përfundojë me një treg qirash të ndarë në dy nivele.
Qiramarrësit me të ardhura të larta në qytetet e mëdha do të kenë një gamë të gjerë banesash për të zgjedhur, ndërsa ata me të ardhura më të ulëta në zonat periferike do të përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të gjetur strehim.
Nëse qeveria nuk ndërhyn, duke ndërtuar vetë më shumë banesa ose duke bashkëpunuar me zhvilluesit për realizimin e tyre, përfitimet e arritura nëpërmjet Ligjit për të Drejtat e Qiramarrësve rrezikojnë të zhbëhen nga një treg qirash gjithnjë e më i fragmentuar. / BBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









