Vrasja e Santiago Malkos, Gjykata e Posaçme e Apelit dënon me 28 vite burgim vëllain e Leonard Dukës
Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 28 vite burg Erlis Dukën, i cili në shkallën e parë ishte shpallur i pafajshëm për çështjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko.
Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë, Apeli ka lënë në fuqi dënimet e dhëna më herët.
Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg, ndërsa Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga janë dënuar me nga 25 vite burg secili.
Vendime janë dhënë edhe në procese të ndara për persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje. Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg, ndërsa Ilir Selmani me 28 vite burg.
Santiago Malko, ish-efektiv policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019, me breshëri plumbash, në zonën e njohur si “Xhamlliku” në Tiranë. Në atë kohë ai ishte vetëm 26 vjeç.




