Shefat e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare të tij në Kosovë kanë shprehur mbështetjen për raportimin e rasteve të dhunës. Ata vizituan në Prishtinë ekspozitën e artistes Zake Prelvukaj, “E djeshmja më tregoi të ardhmen”, e cila është hapur në Europe House.
Vizita përkoi me nisjen e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë vitit 2026 në vend janë evidentuar tetë raste femicidi. Pas rastit të fundit, si dhe për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave që synojnë parandalimin e dhunës, është hapur një hetim parlamentar.
Përfaqësuesit e misioneve diplomatike përcollën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkuan vendosjen e drejtësisë, mbrojtje për të mbijetuarat dhe eliminimin e pandëshkueshmërisë.
“Dinjiteti njerëzor, barazia gjinore dhe sundimi i ligjit janë vlerat themelore të BE-së. Si partneri më i fuqishëm i Kosovës, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore dhe për të siguruar që gratë dhe vajzat të jetojnë pa asnjë formë të dhunës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.







