Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente për Projekt-Buxhetin e vitit 2027, të ndara në katër fusha kryesore, të cilat synojnë rritjen e financimit për arsimin, bujqësinë, sigurinë dhe mbështetjen sociale. Propozimet përfshijnë shtesa fondesh për arsimin e mesëm dhe universitar, mbështetjen e prodhimit vendas, rritjen e pagave për zjarrfikësit dhe punonjësit e policisë së burgjeve, si dhe financime shtesë për ndihmën ekonomike dhe Spitalin Onkologjik.

“Dua t’ju sjell në vëmendje faktin se Projekt-Buxheti i vitit të ardhshëm i Edi Ramës nuk është asgjë tjetër veçse buxheti më i madh dhe historik i mashtrimit, i vjedhjes, i pikëllatës së ekonomisë dhe i braktisjes sociale. Një buxhet që u vjedh qytetarëve mundësinë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve perspektivën, nuk ka asnjë reflektim ndaj kërkesave të tyre legjitime. Këto amendamente janë një alternativë konkrete përballë kësaj politike thellësisht anti-sociale, anti-rini dhe anti-prodhim. Ky duhet të jetë një buxhet që t'i kthejë paratë e shqiptarëve te shqiptarët dhe jo të financojë xhepat e Edi Ramës dhe klientelës së tij”, deklaroi Tedi Blushi.

Sipas Partisë së Lirisë, përmes këtyre amendamenteve synohet një rishpërndarje e fondeve publike në funksion të mbështetjes së qytetarëve, fuqizimit të ekonomisë familjare dhe zhvillimit të prodhimit vendas. Partia kërkon gjithashtu rritjen e financimit për sektorët jetikë dhe përmirësimin e mbështetjes për kategoritë në nevojë.

"Kjo alternativë, pra 12 Amendamentet e Partisë së Lirisë, të ndara në katër paketa, është një alternativë konkrete përballë këtij buxheti, përballë kësaj politike thellësisht anti - sociale, anti - rini dhe anti - prodhim. Pra këto amendamente orientohen drejt shqiptarëve për fuqizimin e ekonomisë së tyre familjare, por edhe fuqizimin e ekonomisë kombëtare, sepse në fakt kështu duhet të jetë i gjithë ky buxhet, një buxhet i cili duhet ti kthejë paratë e shqiptarëve te shqiptarët dhe jo të financojë xhepat e Edi Ramës dhe klientelës së tij."- tha Blushi.

Deklarata e plotë:

Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë paraqet sot edhe 5 Amendamente të tjera shtesë ndaj Projekt - Buxhetit të vitit 2027.
Në total kemi përgatitur 12 Amendamente, të ndara përmes katër paketave konkrete.
Paketa “Rinia”, ku janë përfshirë 5 Amendamente dhe konkretisht: Amendamenti i ri është një shtesë fondi prej 3 miliardë lekë për Arsimin e Mesëm, një shtesë fondi 2 miliardë lekë për Arsimin Universitar dhe një shtesë fondi prej 2 miliardë lekësh për Shkencën dhe Novacionin, të cilat do të prezantohen në detaje nga kolegët e nderuar.
Kemi paketën “ Made in Albania” që përfshin 3 Amendamente dhe konkretisht rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural me 167 milionë euro, pra duke shtuar rreth 73 milionë euro vetëm të dedikuara për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtorisë dhe agro – industrisë, në total me një shtesë fondi prej 78%.
Propozojmë gjithashtu 5.6 milionë euro për agjensinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit për të forcuar pikërisht mbrojtjen e qytetarëve nga çmimet abuzive të tregut.
Amendamenti tjetër i kësaj pakete për mosndryshimin e pragut të aplikimit të TVSH-së për të ardhurat gjatë vitit 2027, me orientim të qartë për të mos rënduar më tej situatën ekonomike për biznesin e vogël.

 

Gjithashtu është paketa e Emergjencave Civile dhe Sigurisë që përfshin dy amendamente, respektivisht rritjen me 35% të pagave për heronjtë e shërbimit zjarrfikës, rritje e cila duhet të përfshijë edhe shpërblimet, orët shtesë si dhe angazhimet e tyre vecanërisht gjatë festave zyrtare, fundjavave, por edhe dietat.
Si dhe rritjen me 35% të pagave për punonjësit e policisë së burgjeve, rritje me 35% që duhet të përfshijë gjithashtu edhe shpërblimet, orët shtesë si dhe dietat.
Paketa e fundit është paketa Sociale që përmban dy amendamente.
Konkretisht një shtesë prej 7.5 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, për papunësinë si dhe një shtesë prej 3.5 miliardë lekë për spitalin Onkologjik.
Dua t’ju sjell në vëmendje faktin se Projekt Buxheti i vitit të ardhshëm i Edi Ramës, nuk është asgjë tjetër vecse buxheti më i madh dhe historik i mashtrimit, i vjedhjes, i pikiatës së ekonomisë dhe i braktisjes sociale.

 

Një buxhet që u vjedh qytetarëve mundësinë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve prespektivën, nuk ka asnjë reflektim ndaj kërkesave të tyre legjitime.
Një buxhet që e le prodhimin vendas në mëshirë të importit dhe konkurrencës së pandershme dhe një buxhet që braktis sektorët jetikë të vendit.
Sepse i gjithë ky buxhet është orientuar, e theksoj, vetëm tek vjedhja dhe të mashtrimi.
Dhe te mashtrimi në fakt ky buxhet nis që në krye të herës duke përdorur kursin prej 96 lekë për 1 euro thjesht dhe vetëm për të fryrë qëllimisht gjoja këtë buxhet me shifrën prej 10 miliardë euro kur dihet në fakt, se kursi i euros vijon pikiatën e pandalshme dhe sot ka arritur në nivelet prej 89 lekë dhe në fakt është me interes të shihet se sa do të jetë kursi  i këmbimit duke filluar nga 1 Janari i vitit të ardhshëm kur dhe nis zbatimi i buxhetit të ri të shtetit, i cili në fakt zbatohet në lek.
Kjo alternativë, pra 12 Amendamentet e Partisë së Lirisë, të ndara në katër paketa, është një alternativë konkrete përballë këtij buxheti, përballë kësaj politike thellësisht anti - sociale, anti - rini dhe anti - prodhim. 

 

Pra këto amendamente orientohen drejt shqiptarëve për fuqizimin e ekonomisë së tyre familjare, por edhe fuqizimin e ekonomisë kombëtare, sepse në fakt kështu duhet të jetë i gjithë ky buxhet, një buxhet i cili duhet ti kthejë paratë e shqiptarëve te shqiptarët dhe jo të financojë xhepat e Edi Ramës dhe klientelës së tij.