Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës zhvilluan një formë proteste duke mbushur korridoret dhe dyert me postera që evidentonin problematikat e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, emigracionit dhe investimeve publike. Përmes artikujve mediatikë, të dhënave nga raporte dhe deklaratave zyrtare, të shoqëruara me mesazhe ironizuese të shkruara me dorë, ata rikthyen premtime të paplotesuara dhe probleme konkrete.
Një afishe paraqet shpenzimet për tendera të Universitetit Politeknik prej 47.23 milionë eurosh për tre vite, dhe 56 milionë euro me TVSH, shoqëruar me mesazhin: “Miliona euro tendera, po nuk na punon as Wi-Fi ‘FTI-student’”. Posterë të tjera kujtojnë vonesën e godinës së re të Fakultetit të Arkitekturës dhe të Inxhinierisë së Ndërtimit, e parashikuar për fillim të vitit 2026, me pyetjet: “Ku është ky xhevahir sot?” dhe “Po godinën e arkitektëve tanë të ardhshëm, kush e ideon?”.
Studentët theksuan edhe çështjet e kostos së jetesës: rritjen e çmimeve të apartamenteve, qiratë e papërballueshme në Tiranë dhe kapacitetet e pamjaftueshme të konvikteve, me mesazhe si “Hëë, se sajohemi edhe këtë muaj!” dhe “Ndërtohet kryeqyteti, shpopullohet vendi!”.
Në posterat që trajtojnë emigracionin, u referuan një studimi për tregun e punës në sektorin e teknologjisë së informacionit e komunikimit, sipas të cilit nga 2,822 profesionistë që u larguan nga kompanitë për një periudhë 12-mujore, 1,271 janë larguar për arsye emigracioni; këto të dhëna shoqëroheshin me mesazhet “Po përdorim pasaportën europiane pra…!” dhe “Çfarë aspiratash pune ke për të ardhmen?”.
Studentët rikthyen premtime të tjera të pambyllura, si furnizimi 24-orësh me ujë të pijshëm në Tiranë, vonesat në projektin hekurudhor Tiranë–Durrës dhe shpenzimet nga xhepi për shërbimet shëndetësore, me slogane në posterë: “Sa breza duhet të kalojnë që të vijë treni?”, “Fund viti 2026, e akoma flasim a kemi ujë!” dhe “Shëndetësi falas?!?”.
Afishat trajtonin gjithashtu largimin e mjekëve dhe infermierëve, detyrimin e studentëve të mjekësisë për të punuar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve dhe denoncimet për përdorimin e administratës arsimore gjatë fushatave zgjedhore; një poster shoqërohej me mesazhin “Arsimi nuk është shtab elektoral!” dhe një foto të Ogerta Manastirliut, Benet Becit dhe Elisa Spiropalit. Në korridore u vendosën edhe fotografi nga përballjet mes policisë dhe protestuesve, me shkrimet “Shoqërim me ‘komoditet’!” dhe “Ja vlen 2500 euro”.
