Pep Guardiola ka zbuluar se periudha e tij te Bayern Munich ishte sfida më e vështirë që ka përjetuar gjatë karrierës si trajner. Tekniku spanjoll, në një intervistë për “Romario TV”, ka shpjeguar vështirësitë që hasi kur mori drejtimin e gjigantëve bavarezë në vitin 2013, pas largimit nga Barcelona.
Problemi kryesor, sipas Guardiolës, ishte fakti se Bayern Munich vinte nga një sezon i jashtëzakonshëm nën drejtimin e Jupp Heynckes, duke fituar tripletën historike: Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Champions League. Trajneri spanjoll pranoi se ishte e vështirë të bindte një grup futbollistësh që sapo kishin arritur gjithçka në futbollin europian.
“Sfida më e madhe dhe më e vështirë ishte largimi nga Barcelona dhe transferimi në Gjermani, pasi Bayern Munich sapo kishte fituar tripletën me Jupp Heynckes. Ishte një periudhë e vështirë për t’i bindur lojtarët, jo sepse nuk dëshironin të më dëgjonin, por sepse sapo kishin arritur një sukses të jashtëzakonshëm”, rrëfeu Guardiola.
Më tej, ai bëri një krahasim me situatën që kishte gjetur kur mori drejtimin e Barcelonës.
“Kur mora drejtimin e Barcelonës, skuadra e kishte mbyllur sezonin 18 pikë pas Real Madridit. Kur shkon te një ekip që ka kaluar një periudhë të vështirë, lojtarët janë më të prirur të ndjekin idetë e tua, sepse duan të ndryshojnë situatën. Por kur mbërrin te një skuadër që sapo ka fituar tripletën, çfarë mund të arrish më shumë se kaq? Në atë moment ata nuk mund të kishin bërë më tepër”, shpjegoi tekniku spanjoll.
Pavarësisht vështirësive, Guardiola vlerësoi kontributin e disa futbollistëve që e ndihmuan gjatë aventurës së tij në Mynih. Mes emrave të përmendur ishin Philipp Lahm, Toni Kroos, Manuel Neuer dhe Thomas Müller.
Gjatë intervistës, trajneri i Manchester Cityt ndau edhe një histori interesante që lidhet me Neymarin dhe mundësinë që ylli brazilian të transferohej te Bayern Munich përpara se të zgjidhte Barcelonën në verën e vitit 2013.
Guardiola zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë personale me sulmuesin brazilian, duke u përpjekur ta bindte të bashkohej me projektin bavarez.
“Do të kisha dashur shumë ta stërvitja Neymarin. Kur u largova nga Barcelona për të shkuar te Bayern Munich, u zhvillua një takim i UEFA-s. Në atë kohë flitej se ai do të transferohej te Barcelona, por kishte edhe zëra se marrëveshja nuk ishte përfunduar plotësisht”, tregoi Guardiola.
Ai zbuloi se kishte shfrytëzuar rastin për të biseduar drejtpërdrejt me brazilianin.
“U ula me të në një dhomë dhe u përpoqa ta bindja të vinte te Bayern Munich. Folëm pak për futbollin, por në fund ai vendosi të transferohej te Barcelona”, përfundoi trajneri spanjoll.
