Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për çështjen “Partizani” me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të tjerë.
Në seancën e kësaj të mërkure, vëmendja u përqendrua te dëshmia e ish-zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Rolando Llazari, i cili u pyet nga SPAK për dijeninë që kishte mbi planin e përhapjes dhe përfshirjen e klubit sportiv “Partizani”. Përgjigjja e tij solli edhe kundërshtime mes prokurorisë dhe mbrojtjes së Malltezit.
Në nisje të seancës, gjykata vendosi caktimin e ekspertëve për kryerjen e një akti ekspertimi ndaj dëshmitarit Isa Tare. Ekspertët duhet të përcaktojnë nëse ai vuan nga ndonjë sëmundje që mund të ndikojë në aftësinë e tij për të dëshmuar, si dhe nëse kishte probleme shëndetësore në kohën kur u mor në pyetje në vitin 2022. Dëshmitari i parë që u paraqit për të dhënë shpjegime ishte Rolando Llazari, i cili gjatë viteve 2002-2011 ka punuar në strukturat administrative dhe pronësore të Ministrisë së Mbrojtjes.
I pyetur nga prokurorët e SPAK nëse klubi sportiv “Partizani” ishte përfshirë në planin e përhapjes, Llazari deklaroi se zyra ku ai punonte nuk kishte dijeni për këtë çështje, pasi nuk ishte në kompetencën e saj. Pas dëshmisë, SPAK kërkoi kundërshtimin e pjesshëm të saj. Kërkesës iu kundërpërgjigj Jamarbër Malltezi, i cili pretendoi se prokuroria kishte mashtruar dëshmitarin, pasi nuk i kishte vënë në dispozicion planin e përhapjes.
GJKKO vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë. Gjatë seancës së sotme pritet të dëgjohen edhe katër dëshmitarë të tjerë.
