Ambasadori amerikan Eric Wendt mesazh SPAK dhe BKH: Ndiqni provat, ndiqni paratë! Paratë e të korruptuarve fshihen në kriptovaluta dhe llogari offshore
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet shqiptare të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: “Ndiqni provat. Ndiqni paratë.”
Gjatë një aktiviteti trajnues të organizuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, me fokus përdorimin e provave digjitale në hetime, Wendt theksoi rëndësinë e gjurmimit të parave kriminale, përtej kufijve shtetërorë dhe përmes sistemeve financiare, platformave të komunikimit dhe kriptomonedhave.
“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, theksoi ai.
Në aktivitet morën pjesë kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe hetues.
Në fjalën e tij, ambasadori amerikan nënvizoi se krimet e rënda, përfshirë korrupsionin dhe aktivitetin e organizatave kriminale, lënë gjithnjë e më shumë gjurmë digjitale, të cilat duhet të shfrytëzohen nga institucionet e drejtësisë.
Sipas ambasadorit, paratë e krimit nuk ndalen në kufijtë kombëtarë, por lëvizin përmes bankave, platformave të këmbimit të kriptomonedhave dhe kompanive guaskë, duke përfunduar shpesh edhe në sistemin financiar amerikan.
“Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm.
Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan. Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave. Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale”, u shpreh ambasadori.
Ndalur te lidhjet mes luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe klimës së investimeve në Shqipëri, ambasadori amerikan theksoi se kompanitë amerikane kanë interes të investojnë në sektorë si energjetika, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, por për këtë kërkojnë garanci se kontratat respektohen, tenderat zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Ai paralajmëroi se praktikat korruptive dhe manipulimi i tenderave dëmtojnë konkurrencën dhe mund të largojnë investitorët e huaj.
“Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht. Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike”, theksoi ai.
Ai nënvizoi gjithashtu respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe nevojën që vendimmarrja të bazohet vetëm te provat dhe ligji, pa ndikime nga pozicioni apo lidhjet e personave të përfshirë.
“Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush”, theksoi ambasadori.
Fjala e plotë:
Sot, shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale. Kjo përfshin edhe çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit që trajtoni ju në SPAK.
Këto çështje kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht.
Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike.
Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po i luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja.
Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm.
Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan.
Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave.
Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale.
Tani, sfida praktike.
Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane.
Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt.
Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.
Taylor Phillips, ekspert i Departamentit të Drejtësisë për krimet e hakerimit kompjuterik dhe të pronësisë intelektuale, do t’jua shpjegojë këtë proces hap pas hapi.
Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt secilit grup në këtë sallë.
Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.
Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.
Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim.
Tri role. Një zinxhir.
Ju lutem, shfrytëzojeni plotësisht këtë seminar. Sillni pyetjet më të vështira që keni. Kështu trajnimi shndërrohet në rezultate.
E nisa duke thënë se shumë krime të rënda lënë një gjurmë digjitale.
Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave.
Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim.
Ndiqni provat. Ndiqni paratë.
Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



