Vrasja e Santiago Malkos, Apeli i GJKKO dënon me 30 vite burg Leonard Dukën, 28 vite për vëllain e tij, Elis Dukën
Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë vendimin për çështjen e vrasjes së Santiago Malkos, duke lënë në fuqi dënimin për Leonard Dukën, por me ndryshime në cilësimin e veprës penale dhe masën e dënimit, ndërsa ka dënuar me 28 vite burg vëllain e tij, Elis Dukën.
Vendimi u shpall këtë të mërkurë, më 25 nëntor 2026, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi.
Ndonëse në vendimin e mëparshëm gjykata e shpalli Elis Dukën të pafajshëm, Apeli e ka deklaruar fajtor për vrasjen me paramendim, në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e dënuar me 25 vite burgim.
Për Leonard Dukën, Apeli ka vendosur deklarimin fajtor për veprën penale “Vrasja me paramendim”, në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, për vrasjen e Santiago Malkos. Për këtë vepër ai është dënuar me 25 vite burgim.
Megjithatë, në bashkim të dënimeve për veprat penale, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, Leonard Duka do të vuajë një dënim të vetëm prej 30 vitesh burgim.
Gjithashtu, Elis Duka është shpallur fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për të cilën është dënuar me 8 vite burgim, si dhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, për të cilën është dënuar me 4 vite burgim.
Në përfundim të bashkimit të dënimeve, Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar për Elis Dukën një dënim të vetëm prej 28 vitesh burgim.
Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, teksa udhëtonte me automjetin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



