Vizita e parë e Drejtoreshës së Eurostat në Shqipëri, Koçiu: Po modernizojmë sistemin statistikor sipas standardeve të BE-së
Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka bërë të ditur se Shqipëria po punon për modernizimin e sistemit statistikor, me synimin për të kaluar nga informacioni i fragmentuar drejt një modeli të integruar, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Në një reagim pas takimit me përfaqësues të Eurostat, INSTAT-it dhe Komisionit Evropian, Koçiu theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme për hartimin e politikave publike dhe marrjen e vendimeve që u përgjigjen më mirë nevojave të shoqërisë.
“Po punojmë për modernizimin e sistemit statistikor, duke kaluar nga informacioni i fragmentuar drejt një modeli të integruar, në përputhje me standardet e BE-së”, u shpreh Koçiu.
Vizita merr një rëndësi të veçantë pasi bëhet fjalë për vizitën e parë në Shqipëri të Drejtoreshës së Përgjithshme të Eurostat, Mariana Kotzeva. Ajo zhvillohet në një moment të rëndësishëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë aktivitetit në fokus ishin forcimi i sistemit statistikor kombëtar, bashkëpunimi me Eurostat-in dhe përafrimi me standardet evropiane.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te statistikat e popullsisë dhe ndërtimi i një sistemi modern të të dhënave, që do të shërbejë si bazë për politika publike më efektive dhe vendimmarrje të mbështetur në fakte.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



