Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe institucionet për një e-mail mashtrues që po qarkullon në adresa të ndryshme elektronike, i cili përdor në mënyrë të rreme emrin e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Siguri Kibernetike. Mesazhi mban titullin “Raport: Krim kibernetik/droga të paligjshme” dhe akuzon pranuesit për përfshirje në krime kibernetike dhe trafik droge. Dërguesit u japin qytetarëve një afat prej 24 orësh për t'u paraqitur ose për të kthyer përgjigje, duke i kërcënuar në të kundërt me arrestim të menjëhershëm. Policia sqaron se ky njoftim nuk është i vërtetë dhe nuk është lëshuar as nga institucioni dhe as nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Fehmi Hoti. Qytetarët apelohen të mos bien pre e këtij mashtrimi dhe të mos u përgjigjen këtyre mesazheve, ndërsa autoritetet po hetojnë rastin.