Kush e zotëron tokën ku Jared Kushner synon të ndërtojë resortin luksoz në Shqipëri? Hulumtimi amerikan nxjerr në pah pretendimet për pronësinë

Projekti i Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e një resorti luksoz me pesë yje në bregdetin shqiptar po përballet me pretendime për pronësinë e tokës, pasi disa familje nga zona e Zvërnecit dhe Hidrovorit thonë se prona u përket atyre dhe jo palëve që ia kanë shitur investitorëve.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga radioja amerikane NPR, një kompani e lidhur me projektin e Kushnerit ka blerë në prill një sipërfaqe prej rreth 300 akrash tokë në bregdetin pranë Vlorës, për më shumë se 130 milionë dollarë.
Megjithatë, transaksioni është vënë nën shqyrtim nga autoritetet shqiptare, pasi prokuroria dyshon se një pjesë e pronës mund të jetë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, transmeton Telegrafi.
Në qendër të konfliktit është Artur Shehu, i cili pretendohet se ka përfituar të drejta pronësie mbi disa sipërfaqe toke në bregdetin shqiptar.
Familje të zonës, mes tyre Gentian Mocka, Minella Konomi dhe Natasha Kota, pretendojnë se këto prona u përkasin familjeve të tyre dhe se dokumentet historike dhe titujt e pronësisë dëshmojnë këtë të drejtë.
Gentian Mocka i ka deklaruar NPR-së se familja e tij e ka zotëruar tokën pranë plazhit Hidrovor që nga koha e Perandorisë Osmane.
Pas Luftës së Dytë Botërore, prona u shtetëzua nga regjimi komunist, ndërsa pas vitit 1991 familja nisi përpjekjet për rikthimin e saj.
Sipas hulumtimit, prokuroria shqiptare dyshon se prona e përfshirë në projekt mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve të trashëgimisë.
Ish-avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, ka pretenduar se në këtë proces është falsifikuar një dëshmi trashëgimie, përmes së cilës prona ka kaluar në emër të familjes Shehu.
Ai thotë se për shkak të seriozitetit të dyshimeve ka ndërprerë përfaqësimin ligjor të tij.
Ndërkohë, më 18 nëntor, një gjykatë shqiptare ka dënuar me shtatë vjet burg Pellumb Petritajn, bashkëpunëtor të Shehut, për falsifikim dokumentesh lidhur me prona bregdetare në vlerë prej rreth 17 milionë dollarësh.
Gjykata ka urdhëruar edhe konfiskimin e pronës së përfshirë në këtë çështje, e cila, sipas NPR-së, nuk përfshin parcelën e pretenduar nga familja Mocka, transmeton Telegrafi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Kushnerit nuk iu përgjigj kërkesës së NPR-së për koment. Megjithatë, në një deklaratë të mëhershme, Kushner kishte thënë se prona ishte blerë përmes një transaksioni privat dhe se dokumentacioni i pronësisë ishte verifikuar nga juristët e kompanisë.
Edhe Artur Shehu nuk iu përgjigj kërkesës për koment, ndërsa në të kaluarën ka mohuar çdo shkelje. Sipas NPR-së, prokuroria shqiptare ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj tij dhe ka ngrirë llogaritë e tij bankare.
Çështja ka marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të përmasave të investimit dhe lidhjeve të tij ndërkombëtare.
Projekti financohet përmes bashkëpunimit me miliarderët nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët janë partnerë financiarë të Kushnerit, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, zëdhënësja e kryeministrit Edi Rama i ka deklaruar NPR-së se, nëse shitësi nuk ka pronësi të ligjshme mbi tokën, paratë do të mbeten në Shqipëri dhe do të përdoren në interes të personave që arrijnë të dëshmojnë të drejtat e tyre pronësore.
Për momentin, pronësia përfundimtare e tokës mbetet çështje që duhet të zgjidhet nga institucionet e drejtësisë shqiptare.
Ndërsa Kushner synon zhvillimin e një prej projekteve më të mëdha turistike në bregdetin shqiptar, pretendimet e banorëve dhe hetimet për dokumentacionin e pronësisë kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e një pjese të transaksionit./Telegrafi/


































