Rama në Bruksel, merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Kryeministri Edi Rama merr pjesë këtë të mërkurë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit diskutojnë për procesin e integrimit evropian, reformat dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Samiti zhvillohet nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ndërsa Bashkimi Evropian përfaqësohet gjithashtu nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në qendër të diskutimeve është perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përmbushja e reformave kyçe dhe përshpejtimi i procesit të integrimit. Takimi synon të riafirmojë angazhimin e Bashkimit Evropian për zgjerimin dhe forcimin e partneritetit strategjik me vendet e rajonit.
Një tjetër çështje e rëndësishme në agjendë është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, zbatimi i tij dhe mundësitë për afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian.
Gjatë samitit pritet të diskutohet gjithashtu për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe sfidat e përbashkëta në një kontekst të karakterizuar nga zhvillime komplekse gjeopolitike.
Sipas Këshillit Evropian, zgjerimi mbetet një prioritet strategjik për BE-në. Presidenti António Costa ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar anëtarësimin e vendeve të rajonit si një investim të rëndësishëm gjeopolitik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



