Vendosni fjalën kyçe....

“Evropa po zhytet në çmenduri” – Kreu i opozitës në Poloni


Institucionet evropiane po “zhyten në çmenduri”, paralajmëroi lideri i opozitës polake, Jaroslaw Kaczynski, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) urdhëroi të martën Poloninë të dëmshpërblejë dy emigrantë afganë, të cilëve iu ishte refuzuar hyrja në kufirin me Bjellorusinë në vitin 2021.

Gjykata e Strasburgut vendosi se Polonia kishte shkelur ndalimin e trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, duke e kthyer njërin prej burrave në Bjellorusi, pavarësisht një mase të përkohshme që ndalonte kthimin e tij. Ajo konstatoi gjithashtu se autoritetet polake u kishin mohuar të dy burrave aksesin te avokatët e tyre, duke u akorduar përkatësisht 20 mijë euro (22 mijë dollarë) dhe 5 mijë euro dëmshpërblim.

Kaczynski argumentoi se ky vendim cenon të drejtën e Polonisë për të mbrojtur kufijtë e saj. Duke kujtuar vrasjen me thikë të një ushtari polak nga një emigrant në vitin 2024, ai pyeti nëse edhe autori i sulmit do të merrte dëmshpërblim. Ai bëri thirrje për një Gjykatë Kushtetuese të aftë për t’i rezistuar presionit të “elitave të Brukselit”.

Ligjvënësi i opozitës, Krzysztof Bosak, akuzoi gjykatën se u jep përparësi interesave të të huajve që shkelin ligjin, në dëm të sigurisë së evropianëve. Ai sugjeroi që Polonia të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, zëvendësministri i Brendshëm, Maciej Duszczyk, e cilësoi vendimin si “të favorshëm”, duke vënë në dukje se gjykata kishte njohur të drejtën e shteteve për të kufizuar hyrjen e emigrantëve, shkruan Rt.

Polonia dislokoi trupa për të përforcuar kufirin e saj në vitin 2021, kur mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, kërkonin të hynin në BE përmes Bjellorusisë. Pavarësisht rënies së ndjeshme të përpjekjeve për të kaluar kufirin, Varshava zgjati javën e kaluar edhe për 60 ditë të tjera kufizimet për paraqitjen e kërkesave për azil në kufi.

BE-ja ka akuzuar Minskun se po e përdor migracionin si armë në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve. Gjykata tha se autoritetet bjelloruse kishin nxitur, lehtësuar ose detyruar kalimet e kufirit, me synimin për të destabilizuar vendet fqinje.

Presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, mohoi në vitin 2021 se Minsku kishte organizuar krizën, duke deklaruar se emigrantët po drejtoheshin për në BE. Në tetor të vitit 2025, Lukashenko përsëriti se Minsku nuk do t’i ndalonte emigrantët që synonin të shkonin në BE, duke përmendur sanksionet perëndimore dhe ndërprerjen e bashkëpunimit për çështjet e migracionit.