Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim katër të dyshuarve në rastin e Arlinda Zekajt
Gjykata Themelore në Pejë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Nurije Sylajt, Driton Sylajt, Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit, të arrestuar nën dyshimet për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve.
Sipas vendimit të gjykatës, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga Dukagjini, Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, dyshohet se ishte e pranishme në dhomën ku Albert Sylaj e sulmoi Arlinda Zekajn me sëpatë, por nuk ndërmori veprime për ta penguar sulmin.
Ndërkaq, Driton Sylaj, ish-kunati i viktimës, dyshohet se kishte përcjellë lëvizjet e saj dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj, të cilat ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes WhatsApp-it.
Në anën tjetër, Metë Pepaj dyshohet se pas vrasjes e kishte transportuar Albert Sylajn nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Bec, me qëllim që ta ndihmonte t'i shmangej arrestimit.
Ndërsa Gëzim Bobi dyshohet se e kishte strehuar Albert Sylajn në banesën e tij në Gjakovë dhe, një ditë më vonë, e kishte transportuar në drejtim të fshatit Maznik.















