Agjencia Kineze e Hapësirës me Ekuipazh njoftoi të mërkurën se lëshimi i anijes kozmike me ekuipazh Shenzhou-24 ishte i suksesshëm.
Raketa mbartëse “Long March-2F Y24” u ngrit nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve “Jiuquan”, në Kinën veriperëndimore, në orën 08:18 sipas orës së Pekinit. Rreth 10 minuta më vonë, anija kozmike u nda me sukses nga raketa dhe hyri në orbitën e saj të paracaktuar. Ekuipazhi gëzon gjendje të mirë, çka shënon suksesin e plotë të lëshimit.
Pas hyrjes në orbitë, anija kozmike do të ndjekë një procedurë të planifikuar për të kryer një afrim dhe bashkim autonom e të shpejtë me kompleksin e stacionit hapësinor.
Më pas, ekuipazhi i “Shenzhou-24” do të hyjë në stacionin hapësinor të Kinës. Ekuipazhi i “Shenzhou-24” përbëhet nga astronautët kinezë Tang Hongbo dhe Wu Yi, si dhe nga astronauti pakistanez Muhammad Zeeshan Ali.
Gjatë misionit, ekuipazhi do të kryejë një sërë eksperimentesh dhe detyrash praktike në fusha të ndryshme, duke përfshirë shkencat e jetës në hapësirë dhe kërkimet mbi njeriun, fizikën në kushte mikrograviteti, si dhe teknologjitë e reja hapësinore. Këtu përfshihen edhe disa eksperimente shkencore ndërkombëtare në bashkëpunim.
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari shkëmbyen urime të mërkurën për misionin e përbashkët të fluturimit hapësinor të kryer nga astronautët e të dy vendeve.









