Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, theksoi nevojën për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe reagimit ndaj dhunës ndaj grave në hapësirën digjitale, duke nënvizuar se pasojat e saj shtrihen përtej internetit. Gjatë aktivitetit “Dhuna ndaj grave në hapësirën digjitale: nga ndërgjegjësimi te mbrojtja ligjore”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Impakt Social (SICA), Ström shprehu mbështetjen e Suedisë për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
“Dhuna e lehtësuar nga teknologjia nuk është thjesht një fenomen online. Ajo ka pasojat e veta në mirëqenien dhe pjesëmarrjen në shoqëri”, u shpreh ambasadori, duke shtuar se kjo formë dhune mund t’i ndodhë kujtdo dhe shpesh lidhet me abuzimin edhe në hapësirat fizike. Ai theksoi se kjo dukuri nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por prek edhe vende të tjera, përfshirë Suedinë. Sipas tij, janë evidentuar raste të kërcënimeve dhe bullizmit online ndaj të rinjve, ndërsa gratë mbeten shpesh objekt i sulmeve në hapësirën digjitale.
Ström përshëndeti miratimin e ligjit të ri në Shqipëri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, i cili njeh edhe dhunën online dhe atë të lehtësuar nga teknologjia. “Ju përgëzoj për këtë hap”, deklaroi ai, duke vlerësuar se tashmë është e rëndësishme hartimi i akteve nënligjore dhe zbatimi në praktikë i dispozitave të ligjit. Ambasadori nënvizoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme në fushën e dhunës së lehtësuar nga teknologjia, ku zhvillimet teknologjike shpesh ecin më shpejt se legjislacioni.
Ambasadori u ndal edhe te sulmet ndaj grave në politikë, të cilat, shtoi ai, përballen me më pak përfaqësim në media dhe me sulme që cenojnë integritetin e tyre, duke rrezikuar të kufizojnë pjesëmarrjen në jetën publike. “Roli i institucioneve është thelbësor për të luftuar të gjitha këto forma dhune. Procedurat që ndiqen janë shumë të rëndësishme për sigurinë e grave, si online, ashtu edhe offline”, theksoi Ström.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e organizatave që mbrojnë të drejtat e grave në dokumentimin e rasteve, mbështetjen e të mbijetuarave dhe rritjen e ndërgjegjësimit, duke nënvizuar se përpjekjet duhet të përfshijnë institucionet publike, autoritetet e pavarura, median, parlamentin dhe shoqërinë civile. “Suedia mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me Shqipërinë për të mbështetur gratë dhe vajzat dhe për të luftuar dhunën ndaj tyre, online dhe offline”, përfundoi ambasadori.
