Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Rasti lidhet me arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, si dhe dy personave të tjerë.


Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Nurije Sylaj, Driton Sylaj dhe M.P. e G.B.

Gjykata ka bërë të ditur se ndaj dy të pandehurve, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj paraburgimi është caktuar për shkak të dyshimit për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.

Ndërkaq, dy të pandehurit e tjerë, M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

Masa e paraburgimit është caktuar për periudhën 24 nëntor deri më 24 dhjetor 2026.

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tij. /Telegrafi/