Tolerancë zero ndaj abuzimeve, Sula: 22 mijë nga 35 mijë inspektimet vjetore kryhen në doganën e Hanit të Hotit

Aktualitet | 1 minutë më parë

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dash Sula, zhvilloi një takim me inspektoratet në Shkodër, ku paralajmëroi masa të rrepta ndaj abuzimeve, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore.

Sipas Sulës, Shkodra ka një nga pikat më të rëndësishme doganore, atë të Hanit të Hotit, ku përqendrohet një pjesë e konsiderueshme e kontrolleve. Nga 35 mijë inspektime që kryhen në vit në pikat doganore, rreth 22-23 mijë realizohen pikërisht në këtë doganë.

“Nga 35 mijë inspektime të cilat realizohen në pikat doganore të Shqipërisë, 22 mijë deri në 23 mijë në vit janë realizuar pikërisht në doganën e Hanit të Hotit”, tha Sula.

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm pranoi se situata nuk është e kënaqshme dhe kërkoi që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të zbatojë tolerancë zero ndaj produkteve ushqimore që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Sipas tij, përveç bllokimit dhe sekuestrimit të produkteve, shkelësit do të përballen edhe me ndjekje penale.

“Nuk jam i kënaqur me situatën në përgjithësi, por nuk mund të them që është për t’u dekurajuar. Ka subjekte abuzuese, pa diskutim, por ka subjekte shumë të mira, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Ka individë inspektorë të cilët abuzojnë dhe shkelin ligjin, por kjo nuk do të na stepë që të mos luftojmë”, u shpreh ai.

Sa i përket ndërtimeve pa leje në Theth, Sula deklaroi se problematikat me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit janë reduktuar. Megjithatë, ai theksoi se institucionet duhet të tregohen të kujdesshme dhe vigjilente për të parandaluar në kohë ndërtimet e paligjshme.

“Fatmirësisht, në qarkun e Shkodrës janë reduktuar problemet për sa i përket IKMT-së. A do të jemi të kujdesshëm? Pa diskutim. A duhet që IKMT-ja të jetë vigjilente që në momentin kur nisin ndërtimet pa leje, për t’i parandaluar ato? Sigurisht që duhet të jetë e kujdesshme”, deklaroi Sula.

Një tjetër fokus i deklaratave të tij ishte digjitalizimi i procesit të inspektimit në pikat doganore. Sula bëri të ditur se brenda katër muajve synohet përfundimi i sistemit të ri, i cili parashikon kryerjen e inspektimeve online, si dhe pajisjen e çdo inspektori me kamera inteligjente dhe uniformë.

Sipas tij, këto masa synojnë rritjen e transparencës në procesin e inspektimit dhe uljen e rasteve të korrupsionit.

Gazetar: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme