Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen. Ai është shoqëruar nga avokati i tij, Dorian Matlija.
Pas plagosjes, Vishkulli mori ndihmën e parë në QSUT dhe më pas u transportua drejt Italisë për trajtim të specializuar. Ai qëndroi për rreth tre javë jashtë vendit, ndërsa u kthye në Shqipëri në mesin e muajit nëntor.
Prokuroria e Tiranës është ende në pritje të përgjigjes së letërporosisë së dërguar autoriteteve italiane, për të marrë rezultatet e ekspertizës mbi materialin e gjetur në syrin e 28-vjeçarit.
Përgjigjja e ekspertëve italianë konsiderohet e rëndësishme për të identifikuar objektin që shkaktoi plagosjen dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes, e cila vijon të jetë nën hetim.