Erjon Vishkulli është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje në lidhje me plagosjen e tij gjatë protestës së 24 tetorit.
Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, Vishkulli deklaroi për mediat se vijon të kryejë kontrolle mjekësore për syrin e dëmtuar, ndërsa kërkoi nga organet e drejtësisë të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësitë.
Ai bëri të ditur se qëndroi për rreth dy orë në Prokurori, por u largua pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.
I pyetur nëse do të jetë pjesë e protestës së paralajmëruar për 28 nëntor, Vishkulli tha se ende nuk ka marrë një vendim. Sipas tij, pjesëmarrja do të varet nga gjendja shëndetësore dhe mundësia për të qenë i pranishëm.
“U takon atyre ta zbardhin. Shqipëria është e jona, e të gjithëve. Në protestë nuk e di a do të dal, do të varet nga gjendja ime. Do të shoh si do të jem dhe nëse do të kem mundësi të marr pjesë në protestë. Vazhdoj ende të bëj kontrolle për syrin. Qëndrova dy orë në Prokurori, por kur panë që nuk po ndihesha mirë, më lanë të largohesha”, u shpreh Vishkulli.