Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, u takua me Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të udhëhequr nga zëvendëskryetari Adnan Rrustemi. Në fokus të bisedës ishin të drejtat e komuniteteve joshumicë, përfaqësimi i tyre në institucione dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Hungarisë.
Rrustemi e falënderoi Duxin për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës. Ai foli për veprimtarinë e Komisionit, si dhe për mekanizmat kushtetues e institucionalë që mbrojnë të drejtat e komuniteteve dhe sigurojnë përfaqësimin e tyre në Kuvend.
Të lidhura
None found
Ambasadori hungarez u interesua për punën e Komisionit dhe situatën e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Ai çmoi përvojën kosovare në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe prezantoi përvojën e Hungarisë sa i përket përfaqësimit të komuniteteve në institucione.
Anëtarët e Komisionit nënvizuan se garancitë kushtetuese duhet të zbatohen dhe të shoqërohen me hapa konkretë për përfshirjen e komuniteteve në jetën institucionale. Diskutimi përfshiu edhe legjislacionin për të drejtat e tyre dhe ndryshimet që mund të bëhen në këtë fushë.
Në përfundim, palët u zotuan të vijojnë bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvoja për avancimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve.








