Erjon Vishkulli dorëzon në Prokurori kartelën mjekësore të mjekëve në Itali, grupi hetimor i paqartë nëse ishte plumb gome ose jo lënda që e plagosi në sy

25/11/2026 16:25

Erjon Vishkulli ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës kartelën mjekësore të lëshuar nga mjekët italianë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale pas plagosjes në sy gjatë protestës në kryeqytet.

Megjithatë, grupi hetimor ende nuk ka arritur të përcaktojë nëse i riu u dëmtua nga një plumb gome. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, dokumentacioni mjekësor është administruar nga Prokuroria, por hetuesit kanë paqartësi lidhur me përshkrimin në kartelë, ku përmendet plumb gome.

Ata po verifikojnë nëse ky përcaktim është bazuar në pretendimet e familjarëve në momentin e regjistrimit të 28-vjeçarit në spital apo përbën një konstatim përfundimtar të mjekëve italianë.

Për këtë arsye, Prokuroria është në pritje të përgjigjes së letërporosisë nga autoritetet italiane, për të sqaruar përfundimisht natyrën e dëmtimit dhe rrethanat e plagosjes.

Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij para grupit hetimor, Vishkulli ka rrëfyer se kishte dalë në protestë dhe ka shpjeguar vendin ku ndodhej në momentin e incidentit, si dhe rrezikun me të cilin u përball pas goditjes.

“Më gjuajtën në kokë dhe dëmtimi ishte serioz kundër jetës”, ka deklaruar 28-vjeçari gjatë dëshmisë së tij.

 

Top Channel