Erjon Vishkulli ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës kartelën mjekësore të përgatitur nga mjekët italianë, dokumentacion që përmban të dhëna rreth ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera pas plagosjes së tij në sy gjatë një proteste në kryeqytet. Kartela është marrë nga grupi hetimor dhe administruar në zyrat e prokurorisë, por dokumentacioni vazhdon të krijojë paqartësi midis hetuesve lidhur me përshkrimin e natyrës së dëmtimit.
Në kartelë përmendet termi “plumb gome”, por grupi hetimor ende nuk ka arritur të përcaktojë nëse dëmtimi i vizituesit është shkaktuar realisht nga një plumb gome. Hetuesit po sqarojnë nëse përmendja e këtij elementi buron nga pretendimet e familjarëve të 28-vjeçarit në momentin e regjistrimit në spital, ose nëse përbën një konstatim përfundimtar të mjekëve italianë që kanë përpunuar dhe përshkruar rastin në dokumentacion.
Për këtë arsye, Prokuroria ka dërguar letërporosi dhe është në pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane, me qëllim të sqarimit përfundimtar të natyrës së dëmtimit dhe rrethanave të plagosjes. Përgjigjia nga autoritetet në Itali do të shërbejë për të vendosur nëse përcaktimi i plagës si i shkaktuar nga plumbi i gomës është i bazuar në ekzaminimin mjekësor profesional apo në deklarimet fillestare të familjarëve.
Gjatë procedurave hetimore, Vishkulli ka dhënë dëshmi para grupit hetimor, ku ka treguar se kishte dalë në protestë dhe ka sqaruar vendndodhjen e tij në momentin e incidentit. Ai ka përshkruar gjithashtu rrezikun që i është paraqitur pas goditjes. Në dëshminë e tij, 28-vjeçari ka deklaruar se u godit në kokë dhe ka vlerësuar se dëmtimi ishte serioz dhe kërcënues për jetën.
Dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga Vishkulli mbetet objekt i verifikimeve dhe përgjigjja nga autoritetet italiane pritet të japë hollësi shtesë mbi karakterin dhe shkakun e plagosjes.

