Shoqatat e transportit urban dhe interurban kanë njoftuar se nesër, më 26 nëntor, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë në orën 08:00, në vend të orës 05:30, siç është zakonisht.
Ky vendim është marrë në shenjë proteste ndaj Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, që pritet të votohen në seancën plenare të Kuvendit.
Njoftimi është bërë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, të cilat kërkojnë të shmangin rritjen e çmimit të biletës dhe kalimin e kostove shtesë fiskale te qytetarët.
Sipas operatorëve, rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të sjellë rritje të çmimit të biletës së transportit publik.
Për këtë arsye, autobusët në të gjitha qytetet e vendit nuk do të ofrojnë shërbim deri në orën 08:00 të mëngjesit të së enjtes, 26 nëntor.
Shoqatat theksojnë se transporti publik është një shërbim jetik, që garanton lëvizjen e qytetarëve drejt vendeve të punës, institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shërbimeve të tjera thelbësore.
Operatorët kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, me qëllim ruajtjen e çmimit aktual të biletës dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit publik.
Deklarata e shoqatave:
“Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% sjell rritjen e çmimit të biletës për qytetarët në transportin publik.
Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.
Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.
Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.”