Pra, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, refuzoi të marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Shpjegimet që ofroi zbulojnë më shumë për raportin e vërtetë të politikës serbe ndaj Evropës sesa që ai vetë ndoshta do të dëshironte ta pranonte.

Në Serbi, me sa duket, ekziston diçka më e rëndësishme se e ardhmja evropiane e shtetit. Pesë pika teknike të rendit të ditës së parlamentit. Pikërisht kjo është një nga arsyet për të cilat kryetari i ri i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, refuzoi ftesën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Çupiq pretendon se do të ishte e papërgjegjshme të largohej nga parlamenti pa përfunduar punët e nisura. Po ashtu, sipas tij, do të ishte e papërgjegjshme të shkonte në një takim kaq të rëndësishëm ndërkombëtar pa përgatitjen e duhur, pasi detyrën e ka marrë vetëm të enjten e kaluar.

Njeriu do të mendonte se Costa e kishte ftuar papritur për të mbrojtur doktoraturën pa përgatitje dhe jo për të përfaqësuar shtetin në një takim politik.

Natyrisht, parlamenti duhet të punojë, institucionet duhet të funksionojnë dhe paraqitjet ndërkombëtare kërkojnë përgatitje. E gjithë kjo është e vërtetë. Por, kur një ftesë për samitin e liderëve evropianë refuzohet për shkak se parlamenti nuk ka zgjidhur disa çështje teknike, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se cili është problemi i vërtetë. Rendi i ditës apo vullneti politik? Dhe çfarë ndodh me nënkryetarët e parlamentit?

Edhe më interesant është shpjegimi i Çupiqit se qeveria dhe ministrat janë në mandat teknik dhe se fillimisht duhet të rregullohen marrëdhëniet e brendshme. Sikur integrimet evropiane të mund të presin derisa Beogradi të përfundojë rregullimin e punëve të veta administrative.

Por pjesa më e rëndësishme e deklaratës së tij nuk janë ato pesë pika teknike të rendit të ditës. Shumë më domethënëse është ajo që thotë për vetë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Çupiq, në fakt, konsideron se qytetarëve ende duhet t'u prezantohen në mënyrë objektive përparësitë dhe mangësitë e rrugës evropiane, në mënyrë që ata vetë të vlerësojnë nëse anëtarësimi është fare në interes të Serbisë.

Si, ju lutem?

Serbia ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE që në vitin 2009. Statusin e vendit kandidat e ka marrë në vitin 2012, ndërsa negociatat e anëtarësimit janë hapur në vitin 2014.

Pra, pas pothuajse shtatëmbëdhjetë vjetësh nga paraqitja e kërkesës, elita politike serbe ende diskuton nëse qytetarëve duhet t'u shpjegohet nëse ia vlen fare anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Dhe tani të gjithë ne duhet të besojmë seriozisht se Serbia po ecën me vendosmëri drejt Evropës?

Ndoshta pikërisht ky është problemi më i madh i rrugës evropiane të Serbisë. Jo mungesa e informacioneve, as pikat teknike, as dorëzim-pranimi i papërfunduar i detyrës, por shmangia e një përcaktimi të qartë politik.

Për vite me radhë, Beogradi ka dashur paratë evropiane, investimet evropiane, qasjen në tregun evropian dhe përfitimet politike nga statusi i vendit kandidat, ndërkohë që ka dashur të ruajë marrëdhëniet e veçanta me Moskën, të refuzojë harmonizimin me vendimet kyçe të politikës së jashtme evropiane dhe të kultivojë koncepte nacionaliste që prekin drejtpërdrejt marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Aleksandar Vuçiqin dhe politikën e tij. Deklaratat e Çupiqit tregojnë se çështja e orientimit evropian të Serbisë është shumë më e thellë sesa një politikan apo një pushtet i vetëm.

Ndryshimi i pushtetit, në vetvete, nuk nënkupton edhe ndryshimin e të menduarit strategjik. Udhëheqja e re politike ende duhet të tregojë nëse vërtet dëshiron një Serbi ndryshe.

Në këtë kontekst, natyrisht, shtrohet edhe pyetja se çfarë marrëdhëniesh dëshiron të ketë Serbia me fqinjët e saj më të afërt.

Nga perspektiva e Kosovës, kjo çështje ka një rëndësi të veçantë. Republika e pavarur e Kosovës dëshiron ta ketë Serbinë një fqinj të dëshirueshëm dhe të qëndrueshëm, i cili do të heqë dorë qartazi nga pretendimet territoriale ndaj shtetit të Kosovës dhe do të ndalojë së cenuari vazhdimisht integritetin e tij territorial.

Në këmbim, Kosova nuk do të kishte asgjë kundër një rruge të qëndrueshme dhe evropiane të Serbisë, sepse të njëjtën gjë synon ta arrijë edhe vetë Prishtina.

Prandaj, vazhdimi i normalizimit të marrëdhënieve është një imperativ evropian për të dyja palët, pa i vënë pengesa njëra-tjetrës.

Ajo që kjo Serbi duhet të bëjë në raport me Kosovën është të njohë pavarësinë e saj dhe kështu t'ia hapë vetes rrugën e bashkimit me familjen evropiane. Jo të vazhdojë të pengohet për shkak të Kosovës, e cila nuk është më pjesë e Serbisë dhe kështu do të mbetet.

Por ekzistojnë edhe shumë çështje të tjera të hapura, siç është çështja e personave të zhdukur gjatë luftës, ndjekja penale e krimeve të luftës dhe e autorëve të krimeve seksuale, të dhunimeve ndaj grave shqiptare të Kosovës, si dhe varrezat masive ende të pazbuluara me qytetarë shqiptarë të vrarë nga Kosova.

Pra, rruga evropiane e Serbisë nuk mund të jetë vetëm një shfaqje diplomatike, në të cilën nga Brukseli priten vetëm privilegje, ndërsa brenda vendit vazhdon një politikë që prodhon drejtpërdrejt konflikte në rajon.

Ende ekzistojnë probleme të pazgjidhura me Kroacinë, çështje që lidhen me marrëdhëniet ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, si dhe me heqjen dorë nga projektet politike që i shohin shtetet fqinje si hapësirë të bashkimit kombëtar serb.

Këto nuk janë teka kombëtare apo komplote të sajuara, por çështje përmes të cilave vihet në provë nëse Serbia i pranon vërtet vlerat evropiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Prandaj, Evropa mund të ndalojë së trajtuari afrimin e Serbisë si një objektiv që duhet arritur me çdo kusht. Anëtarësimi në BE nuk është shpërblim për pozitën gjeografike. As instrument përmes të cilit tentohet pafundësisht të bindet një shtet që më në fund të vendosë se ku dhe kujt i përket.

Kryetari i ri i parlamentit dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë ndoshta vërtet dëshiron të tregojë një qasje ndryshe ndaj institucioneve dhe kjo duhet t'i njihet si mundësi.

Por, për një politikë serioze evropiane, nuk mjafton të flitet për përgjegjësi parlamentare. Është e nevojshme të thuhet qartë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë shteti dhe çfarë është i gatshëm të ndryshojë për të arritur atje.

Pikërisht këtë, deri më tani, nuk e kemi dëgjuar nga deklaratat e tij.

Prandaj, refuzimi për të marrë pjesë në samitin evropian nuk është vetëm një episod protokollar. Ai hap një çështje shumë më serioze: deri në çfarë mase Serbia, edhe pas ndryshimeve politike, do të pushojë së trajtuari integrimet evropiane si një mundësi që gjithmonë mund ta lërë për nesër?

Sepse një shtet që pas shtatëmbëdhjetë vjetësh ende mendon nëse Evropa është në interesin e tij, me sa duket, nuk ka problem me dyert e Evropës. Ka problem me vendimin e vet nëse dëshiron fare të kalojë përmes tyre.

Dhe kur për të munguar në samit i mjaftojnë pesë pika teknike të rendit të ditës dhe argëtimi i disa deputetëve me Vuçiqin, atëherë ndoshta as vetë Serbia nuk dëshiron që Brukseli t'ia shtrojë këtë pyetje.

Ashtu siç mund t'i shtrohej edhe pyetja lidhur me rezolutën e Parlamentit Evropian, të cilën Serbia nuk e pranon për shkak të përmbajtjes së saj.

Por kush shkoi atje për ta shkatërruar Vukovarin, nëse jo ushtria serbe dhe forcat paramilitare, të cilat atje vranë dhe plaçkitën serbë e kroatë?

Po, rezoluta mund të refuzohet, por kjo ka çmimin e vet. Dhe ky çmim është, para së gjithash, vënia në pikëpyetje e rrugës evropiane, gjë që do të nënkuptonte KATASTROFË PËR TË ARDHMEN E SERBISË.