Nënproduktet e qumështit nuk përgatiten vetëm nga qumështi i freskët, por edhe nga proteinat apo hirra e qumështit.
Ditë më parë, Top Channel publikoi lajmin se 1 milion kg proteina janë përdorur nga fabrikat e qumështit dhe baxhot e vendit tonë.
Por ky lajm nuk është mirëpritur nga Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit. Në një deklaratë për shtyp, ata shprehen se biznesi shqiptar po paragjykohet.
“Një industri e tërë nuk mund të paragjykohet nga titujt sensacionalë dhe ngatërrimi i termave teknologjikë, aq më shumë kur dihet se në cilin nënsektor përdoren shtesat proteinike.”
Fakti që kjo industri ka përdorur 1 milion proteina për përgatitjen e bulmetit që hanë shqiptarët e thotë vetë zyrtarisht institucioni që kontrollon bizneset e bulmetit. Në një shkresë zyrtare, AKU i jep përgjigje Top Channel se sa është sasia e proteinave që përdoren nga industria ushqimore.
“Lidhur me proteinat e qumështit, rezulton se për vitin 2025 janë importuar në total 504.41 ton, ndërsa për periudhën e vitit 2026 janë importuar në total 404.66 ton. Llojet e proteinave të cilat importohen janë: Kazeinë; Lactomin 35, VPC 35; Rileprot4A; TEXTRION PROGEL800.”
Reagimi i IPQ vazhdon edhe më tej, duke kaluar në justifikim, por jo në argument se përse këto proteina duhet të jenë pjesë e procesit përpunues.
“Proteinat janë përbërës natyrorë të qumështit. Përdorimi i tyre, kur lejohet për produktin përkatës dhe respekton kërkesat e përbërjes, sigurisë, gjurmueshmërisë dhe etiketimit, nuk përbën vetvetiu falsifikim apo provë rrezikshmërie.”
Por Top Channel nuk është ndaluar vetëm te proteinat e qumështit, por edhe te shtesat e tjera ushqimore që përdorin këto biznese. Ku gjatë këtij 2-vjeçari, tregtarët e qumështit kanë blerë 346 mijë tonë aditivë.
“Nga verifikimet e kryera, rezulton se për vitin 2025 janë importuar në total 157.4 ton aditivë dhe përbërës ushqimorë, ndërsa për periudhën e vitit 2026 janë importuar në total 188.64 ton aditivë dhe përbërës ushqimorë.”
Djathi, ajka, kosi, gjalpi apo salca e kosit mund të prodhohen edhe me mbështetjen e këtyre shtesave ushqimore. Problemi është te sasia, ku AKU dhe ISUV nuk kanë kapacitete laboratorike për t’i ekzaminuar ato. Kështu, AKU i beson deklarimit ose jo të tregtarit që përdor aditivë për të ulur kostot e prodhimit dhe për të rritur fitimin e tij.
Top Channel