Emigrimi zbraz “Asim Zenelin”/ Të rinjtë largohen, të moshuarit mbeten në vetmi dhe shkolla rrezikon mbylljen

25/11/2026 16:36

Në Asim Zeneli, zërat e fëmijëve po dëgjohen gjithnjë e më pak.

Rrugët janë boshatisur, shumë shtëpi kanë mbyllur dyert dhe jeta në fshat mbahet ende gjallë kryesisht nga të moshuarit. Emigrimi i të rinjve ka lënë pas prindërit, të cilët tashmë e përjetojnë largësinë si pjesë të përditshmërisë.

Mallit për fëmijët, nipërit dhe mbesat që kanë marrë rrugën drejt emigrimit, këta banorë i kanë kushtuar edhe vargje. Përmes poezisë shprehin dhimbjen e largimit, vetminë dhe shpresën se një ditë të afërmit do të kthehen sërish në vendlindje.

Por zbrazja e fshatit po kërcënon edhe të ardhmen e tij. Shkolla po shkon drejt mbylljes, pasi mungesa e fëmijëve e bën gjithnjë e më të vështirë vazhdimësinë e saj.

Një tjetër tregues se braktisja nuk po prek vetëm jetën e përditshme, por edhe institucionet që dikur i jepnin gjallëri komunitetit.

Asim Zeneli është sot një tjetër pasqyrë e realitetit të fshatrave shqiptare te rinj që largohen për një jetë më të mirë, prindër që mbeten pas dhe një shkollë që rrezikon të mbyllë dyert.

 

Top Channel