Dogana zbulon mbi 4 mijë copë stoli argjendi në një dërgesë postare në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës ka zbuluar 4 mijë e 161 copë stoli argjendi në një dërgesë postare në sektorin e Kargos në Aeroportin e Prishtinës, e cila ishte deklaruar si dërgesë me pjesë të imta metali për testim.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrolleve të rregullta, zyrtarët doganorë kanë dyshuar për mospërputhje mes përshkrimit në dokumentacion dhe përmbajtjes së dërgesës, prandaj e kanë përzgjedhur atë për skanim dhe kontroll fizik.
Gjatë ekzaminimit është konstatuar se në pako, në vend të pjesëve metalike të deklaruara, kishte 4 mijë e 161 copë stoli argjendi.
Ato përfshinin 1 mijë e 331 unaza, 358 qafore, 844 byzylykë, 1 mijë e një varëse, 503 palë vathë dhe 124 komplete.
Dogana ka bërë të ditur se vlera doganore e mallit, pa përfshirë taksat, është 25 mijë e 861 euro e 39 centë, ndërsa detyrimet doganore që dyshohet se janë tentuar të shmangen arrijnë në 7 mijë e 706 euro e 69 centë.
Rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për shkak të deklarimit të pasaktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit.
Dogana e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë kontrollet për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien e detyrimeve doganore.















