Transporti publik në protestë kundër paketës fiskale, pezullohet shërbimi në orët para seancës së nesërme plenare

25/11/2026 16:44

Në një reagim të përbashkët, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë njoftuar një kufizim të përkohshëm gjatë mëngjesit të nesërm të shërbimit të transportit publik në të gjitha qytetet e vendit.

Vendimi vjen nesër për shkak se zhvillohet seanca për votimin e buxhetit, në shenjë kundërshtimi ndaj rritjes së propozuar të TVSH-së nga 20% në 21%, e cila, sipas shoqatave, rrezikon të sjellë shtrenjtimin e biletave dhe të rëndojë më tej qytetarët.

Deklarata e plotë – Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketes Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe e garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.

Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik.

Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.

Top Channel