113 raste të reja me HIV janë regjistruar në Shqipëri gjatë periudhës janar-tetor 2026, ndërsa 47 persona janë diagnostikuar në fazën e SIDA-s. Për të njëjtën periudhë raportohen edhe 13 viktima, sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik.

Të dhënat nxjerrin në pah një tjetër problem shqetësues: diagnostikimin e vonuar, kur infeksioni ka avancuar dhe ka shkaktuar dëmtime serioze në organizëm. Mjekët apelojnë për kryerjen e testeve në kohë, pasi zbulimi i hershëm mundëson nisjen e trajtimit dhe ul rrezikun e komplikacioneve.

Sipas ISHP-së, pjesa më e madhe e rasteve të identifikuara, rreth 74%, i përket meshkujve. Grupmoshat ku vihet re përhapja më e madhe janë personat 30-39 vjeç dhe ata mbi 50 vjeç.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Tirana mban vendin e parë për numrin e rasteve, ndërsa Durrësi renditet i dyti. Në tre dekadat e fundit, 137 persona kanë deklaruar se jetonin në Durrës në momentin kur u diagnostikuan me HIV.

Shqetësimi për pasojat e sëmundjes u rikthye edhe në fillim të këtij muaji, pas gjetjes së pajetë në rrugë të një 38-vjeçari. Sipas policisë, bazuar në informacionet e familjarëve, ai vuante nga SIDA në një stad të avancuar.

Specialistët theksojnë se diagnostikimi me HIV nuk është një dënim, pasi infeksioni mund të mbahet nën kontroll përmes terapisë së rregullt. Me trajtimin e duhur dhe kontrollet periodike, personat që jetojnë me HIV mund të kenë jetëgjatësi dhe cilësi të mirë jetese.

Për këtë arsye, krahas testimit dhe ndjekjes mjekësore, një tjetër sfidë mbetet eliminimi i paragjykimeve dhe diskriminimit ndaj personave të prekur.