Ukraina godet bazën ajrore ruse me dronë, nxjerr jashtë shërbimit pesë avionë luftarakë

25/11/2026 16:57

Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një sulm me dronë ndaj një baze të rëndësishme ajrore ushtarake ruse, duke dëmtuar pesë avionë luftarakë që përdoren nga Moska për sulmet me raketa dhe bomba kundër Ukrainës.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, sipas të cilit objektivi ishte baza ajrore Savalyeka, në rajonin e Nizhny Novgorodit, në lindje të Moskës. Autoritetet ruse nuk kanë komentuar menjëherë pretendimet e Kievit.

Sipas ushtrisë ukrainase, nga sulmi janë dëmtuar tre avionë luftarakë MiG-31, të cilët përdoren për lëshimin e raketave hipersonike, si dhe dy avionë luftarakë-bombardues Su-34. Të pesë avionët janë nxjerrë jashtë shërbimit për një periudhë të caktuar.

Operacioni vjen pas një serie sulmesh të ndërmarra nga forcat ukrainase gjatë ditëve të fundit, të cilat kanë shënjestruar edhe anije ruse në ujërat pranë Libisë dhe në Gjirin e Finlandës.

Javën e kaluar, Ukraina goditi gjithashtu pjesën rrugore të urës që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, një infrastrukturë me rëndësi strategjike për Moskën.

Kievi po përpiqet të dobësojë kapacitetet ushtarake ruse, ndërsa përballet me një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike dhe intensifikimin e goditjeve ruse në qytetet pranë vijës së frontit.

Në kuadër të këtyre operacioneve, forcat ukrainase kanë shënjestruar edhe sistemet ruse të lëshimit të raketave balistike, të përdorura në sulmet ndaj territorit ukrainas. Ministri i Mbrojtjes, Yevgeny Khmara, deklaroi këtë javë se Ukraina ka shkatërruar 16 lëshues të tillë gjatë muajve të fundit.

Ndërkohë, sulmet e përsëritura ukrainase me dronë kanë ndikuar edhe në industrinë ruse të naftës. Sipas burimeve të industrisë të cituara në raportim, vëllimi i përpunimit të naftës në rafineritë ruse ka rënë me 45% që nga fundi i tetorit.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se do të vazhdojnë sulmet ndaj objektivave energjetike ruse për sa kohë Moska të vijojë të godasë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Top Channel