Ndihem i kërcënuar nga Berisha, më bëni dëshmitar drejtësie/ Paro Laçi letër GJKKO për dosjen “Partizani”: Kam kërkuar azil politik në Zvicër

25/11/2026 17:07

Ish-presidenti i klubit të futbollit “Partizani”, Paro Laçi, nuk është paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe të pandehurve të tjerë në dosjen “Partizani”, duke pretenduar se ndihet i rrezikuar nga ish-kryeministri dhe kërkoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Për këtë shkak, Paro Laçi, i cili ka njoftuar përmes një deklarate refuzimin për të marrë pjesë në seancën e 26 tetorit, bën me dije se ka kërkuar azil politik dhe për rrjedhojë është në pamundësi për t’u paraqitur në gjykatë. Ai propozon tri zgjidhje: dhënien e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës, komunikimin me gjykatën përmes avokatit të zgjedhur prej tij dhe zbatimin e ligjit shqiptar për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Laçi, i cili edhe më herët ka ngritur akuza ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, ka kërkuar të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Ai ka kërkuar gjithashtu që për çdo komunikim të mëtejshëm gjykata t’i drejtohet avokatit të tij, Idajet Beqiri.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Paro Laçi, në shkresën drejtuar Gjykatës së Posaçme, bën me dije se ka kërkuar azil politik në Zvicër, ndërsa shpreh gatishmërinë për të dhënë dëshminë e tij nëpërmjet videokonferencës.

Laçi kërkon gjithashtu që të merret në mbrojtje nga drejtësia, duke ritheksuar frikën për sigurinë e tij personale.

Dëshmitari Paro Laçi, në shkresën drejtuar Gjykatës së Posaçme, shprehet: “I rikonfirmoj kësaj Gjykate të Nderuar frikën e bazuar për sigurinë personale”, ndërsa kërkon, si edhe në të kaluarën, që të vlerësohet përsëri marrja e masave të mbrojtjes të parashikuara nga ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Në shkresën e tij drejtuar gjykatës, Paro Laçi kujton se, teksa kishte kërkuar azil, është njoftuar për procesin gjyqësor. Por, sipas tij, njoftimi është bërë nga një punonjës i paidentifikuar.

“U prezantua si oficer i sigurisë publike, por pa paraqitur asnjë dokument që ta vërtetonte këtë, më ka kontaktuar nëpërmjet ËhatsApp. Ai më ka dërguar gjoja akte të kësaj Gjykate, në pjesën më të madhe pa vulë dhe pa nënshkrim, dhe më ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacione mbi lëvizjet dhe udhëtimet e mia të mundshme, me mesazhe zanore këmbëngulëse lidhur me vendndodhjen time”, thotë Laçi.

Më tej, ai citon përmbajtjen e një mesazhi, të cilin e konsideron si tregues të rrezikut për jetën e tij.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, komunikimi i përmendur nga Laçi i përket datës 14 korrik 2026 dhe ka këtë përmbajtje: “A je aty? Ok, ok, gjithçka. Kur vjen sonte? Deri në orën 2 të natës të pres, jam këtu me policinë. Eja ta firmosim atë shkresë, jemi shumë mirë me këtë pjesë. E përcjellim nesër, ose në Tiranë. Hajde, mirë, meqë do vish sonte.”

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, vendosi që dëshmia e Paro Laçit të merret nëpërmjet letërporosisë drejtuar autoriteteve zvicerane.

Sa i përket kërkesës për t’u përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, Gjykata e Posaçme sqaroi se shqyrtimi i saj nuk është kompetencë e trupit gjykues, por e prokurorisë.

 

Në GJKKO sot është zhvilluar seanca e radhës për çështjen “Partizani” me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të tjerë.

Në nisje të seancës gjykata vendosi caktimin e ekspertëve për të kryer aktin e ekspertimit për dëshmitarin Isa Tare, nëse vuan nga ndonjë sëmundje që mund të ndikojë në dëshmi, dhe kur u mor në pyetje në vitin 2022 a vuante nga ndonjë sëmundje.

Dëshmitari i parë ishte Rolando Llazari, i cili në periudhën 2002-2011 ka qenë i punësuar në strukturat administrative/pronësore të ministrisë të ministrisë së Mbrojtjes.

I pyetur nga SPAK nëse klubi partizani ka qenë në planin e përhapjes së Forcave të Armatosura, u shpreh se zyra e tij nuk ishte në dijeni pasi nuk ishte kompetencë e saj.

SPAK kërkoi kundërshtim të pjesshëm të dëshmisë, ndërsa Malltezi tha se prokuroria e ka gënjyer dëshmitarin sepse nuk i ka vënë në dispozicion planin e përhapjes.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për kundërshtim të pjesshëm.

Debate për dosjen “Partizani”/ SPAK kundërshton dëshminë e ish-zyrtarit të ministrisë së Mbrojtjes, Malltezi: Prokuroria e ka gënjyer! Paro Laçi shkresë GJKKO-së: Kam kërkuar azil në Zvicër

 

Top Channel