Me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë bërë thirrje për angazhim të përbashkët në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Sipas deklaratës së OKB-së, më shumë se gjysma e grave në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre.
Nga viti 2021 deri në vitin 2025, 31 gra janë viktima të femicidit, ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 janë paraqitur në gjykatë 2 321 kërkesa për urdhra mbrojtjeje.
OKB thekson se, pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor dhe institucional, aksesi në drejtësi, mbrojtja e të mbijetuarave dhe zbatimi efektiv i ligjit mbeten sfida të rëndësishme.
Shqetësim i veçantë ngrihet edhe për dhunën në hapësirën digjitale, ku 41 % e grave aktive në internet në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë dhune të lehtësuar nga teknologjia.
Përmes mesazhit “Mos e Normalizo. Nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave”, Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje institucioneve, shoqërisë civile, medias, sektorit privat dhe qytetarëve të bashkojnë përpjekjet për t’i dhënë fund çdo forme dhune dhe pandëshkueshmërisë.
Deklaratë e përbashkët e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, 25 nëntor 2026:
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe më të vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, më shumë se gjysma e grave kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre. Nga viti 2021 deri në vitin 2025, 31 gra ishin viktima të femicidit, 27 prej të cilave u vranë me dashje nga partnerët e tyre intimë ose nga pjesëtarë të familjes. Vetëm gjatë vitit 2026 deri më tani, organet ligjzbatuese paraqitën në gjykatë 2 321 kërkesa për urdhra mbrojtjeje, ndërsa Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza mori mbi 4 000 telefonata.
Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional, veçanërisht përmes miratimit të ligjit të ri për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Në këtë drejtim kanë kontribuar edhe reformat ligjore, forcimi i Mekanizmave të Koordinuar të Referimit dhe zgjerimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për të mbijetuarat.
Duke u mbështetur në këtë përparim, nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’u garantuar të gjitha të mbijetuarave akses në drejtësi. Në vitin 2025 u raportuan 5 174 raste të dhunës në familje, 6 për qind më shumë se në vitin 2021. Vetëm gjysma e rasteve të raportuara shkuan në gjykatë, çka nxjerr në pah nevojën për të forcuar reagimin institucional. Pas këtyre shifrave qëndrojnë gra dhe vajza, jeta, siguria dhe e ardhmja e të cilave varen nga garantimi në kohë dhe në mënyrë efektive i mbrojtjes dhe i drejtësisë. Moszbatimi i ligjit, stereotipet e dëmshme gjinore, varësia ekonomike, stigmatizimi dhe qasja e kufizuar në shërbime të specializuara vazhdojnë t’i pengojnë shumë të mbijetuara të kërkojnë ndihmë dhe të marrin drejtësinë që u takon.
Gratë dhe vajzat që përballen me forma të shumëfishta dhe të ndërthurura të diskriminimit hasin pengesa të tjera për të siguruar mbrojtje, mbështetje dhe drejtësi. Njëkohësisht, dhuna po merr forma të reja në hapësirën digjitale. Në Shqipëri, 41 për qind e grave aktive në internet kanë përjetuar të paktën një formë dhune të lehtësuar nga teknologjia. Gratë e reja të moshës 18–24 vjeç janë ndër më të rrezikuarat. Këto sfida kërkojnë veprim urgjent për të mbrojtur të drejtat, sigurinë dhe dinjitetin e të gjitha grave dhe vajzave, si në internet, ashtu edhe jashtë tij. Asnjë grua apo vajzë nuk duhet të mbetet pas.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, fushata kombëtare e këtij viti përcjell mesazhin “Mos e Normalizo. Nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave.” Kombet e Bashkuara në Shqipëri u bëjnë thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore, institucioneve të drejtësisë, shoqërisë civile, sektorit privat, medias dhe komuniteteve në mbarë vendin të bashkojnë përpjekjet për t’i dhënë fund çdo forme dhune ndaj grave dhe vajzave.
Duhet të kundërshtojmë qëndrimet, sjelljet dhe normat e dëmshme shoqërore që e normalizojnë, e tolerojnë apo e justifikojnë dhunën. Heshtja, indiferenca dhe pranimi i dhunës lejojnë që ajo të vazhdojë. Parandalimi i saj kërkon përgjegjësi të përbashkët, investime të vazhdueshme, reagim institucional efektiv dhe llogaridhënie në çdo nivel.
Teksa na ndajnë vetëm pak vite nga afati për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, duhet të mbrojmë arritjet e deritanishme dhe të veprojmë. Le të bashkohemi për të garantuar drejtësi, për të mbrojtur e mbështetur të mbijetuarat e dhunës, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, në mënyrë që çdo grua dhe çdo vajzë të mund të jetojë e lirë nga dhuna dhe diskriminimi në çdo hapësirë.
Dhuna nuk duhet të normalizohet kurrë.
Nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave.




Komente
Komento