Polonia shpall zonë ndalim-fluturimi pranë kufirit me Ukrainën, thirrje aleatëve të NATO-s për masa të ngjashme
Polonia ka njoftuar planet për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi brenda territorit të saj përgjatë kufirit me Ukrainën, në përgjigje të ndërhyrjeve të përsëritura ruse në hapësirën ajrore të aleancës. Paralelisht me këtë vendim, Varshava u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të rrisin vigjilencën dhe të adoptojnë masa të ngjashme sigurie në kufijtë e tyre lindorë.
Lajmi u konfirmua të mërkurën nga zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, i cili bëri me dije se kuadri ligjor për këtë kufizim është në fazën përfundimtare të hartimit.
“Një urdhëresë tashmë po përgatitet nga qeveria dhe duhet të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit”, deklaroi Tomczyk para gazetarëve.
Sipas tij, zona e propozuar do të shtrihet në një rreze prej disa dhjetëra kilometrash nga vija kufitare me Ukrainën dhe synon të ofrojë mbështetje shtesë operacionale për forcat e armatosura të Polonisë, të cilat aktualisht zbatojnë kufizime të rrepta mbi trafikun ajror në atë rajon.
Duke e cilësuar vendin e tij si nismëtar në forcimin e mbrojtjes ajrore rajonale, zyrtari i lartë polak kërkoi që ky standard të shtrihet në të gjithë krahun lindor të Aleancës Atlantike.
“Ne gjithashtu do t’i nxisim aleatët tanë – të gjithë aleancën e NATO-s – të krijojnë një parim të tillë përgjatë krahut lindor”, u shpreh Tomczyk, duke shtuar se “Polonia ishte një pioniere në këtë drejtim dhe shtetet baltike që atëherë kanë ndjekur shembullin tonë.”
Ky zhvillim vjen në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa brenda vetë aleatëve perëndimorë janë shfaqur edhe qasje të ndryshme lidhur me zhvillimet e fundit ushtarake, përfshirë reagimet e ndara mbi sulmin e Kievit ndaj anijeve ruse në Libi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



