28 amendamente kanë depozituar në Kuvend demokratët për buxhetin dhe paketën fiskale. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i grupit Gazment Bardhi deklaroi se amendamentet e tyre janë në shërbim të qytetarëve.
Sali Berisha qëndron në krye të firmave në dokument ndërsa thekson vendosjen e minimumit jetik 200 mijë Lekë në muaj.
“Duke filluar nga data 1 Prill 2027, pagesat për pensionet e pleqërisë, pagesat për pensionet e invaliditetit dhe aftësisë së kufizuar, pagesat e familjeve në ndihmë ekonomikë, pagesat për bursat studentore dhe kategoritë e tjera të veçanta sipas përcaktimeve me VKM, nuk duhet të jenë më të ulëta se vlera financiare e miratuar e minimumit jetik”.
Berisha ndërkohë kërkon edhe rritjen e pagave në administratë me 30% deri në 50%, por duke përjashtuar pozicionet e larta drejtuese dhe të emëruarit politik.
Dy deputetët Eno Bozdo dhe Jorida Tabaku kërkojnë që të ndryshojë tatimi mbi vlerën e shtuar për ujin dhe energjinë, duke zbritur në 6% njësoj si produktet e shportës.
“Nisur nga kriza ekonomike tejet e përhapur dhe nivelet e larta të varfërisë, sidomos edhe pas vlerësimeve të Eurostat, ku 1/3 e shqiptarëve jetojnë në varfëri dhe privim social dhe material, theksoj se miratimi i këtij amendamenti do të ishte dhe një instrument i rëndësishëm, ndonëse jo i mjaftueshëm, për të përmirësuar disi jetën e shqiptarëve”.
Demokratët kërkojnë gjithashtu edhe ndërprerjen e financimeve për të gjitha koncensionet në shëndetësi dhe për inceneratorin e mbetjeve.
Në amendamentet e opozitarëve kërkohet gjithashtu dhënia e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar, trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë, uljen e shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe rritjen e buxheteve për bashkitë.










