Negociatat për anëtarësimin në BE, Marta Kos ditën enjte zhvillon një takim në Kuvendin e Shqipërisë
Komisionerja për Zgjerim në Komisionin Europian, Marta Kos, do të jetë e pranishme ditën e enjte në Shqipëri ku do të marrë pjesë në takimin me temë “Gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, i organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE).
Në fokus të këtij takimi ddo të jenë procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Njoftimi:
Nesër, në orën 14:45-16:10, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) do të organizojë takimin me temë “Gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, ku e ftuar do të jetë znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Komisionin Europian.
Pas përshëndetjes nga z. Taulant Balla, Bashkëkryetar i KKIE; znj. Jorida Tabaku, Bashkëkryetare e KKIE dhe znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Komisionin Evropian; takimi do të vijojë me diskutime nga përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisionet parlamentare, të cilët do të ndajnë këndvështrimin e tyre lidhur me sfidat e procesit të negociatave.
Më pas takimi do të vijojë me diskutime nga përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë mbi procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Fjala përmbyllëse do të mbahet nga znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Komisionin Europian.
Takimi do të zhvillohet në katin e IV, të Kryesisë së Kuvendit (Salla e Grupeve) dhe do të transmetohet live në faqen zyrtare ëeb dhe FB, si dhe kanalin youtube të Kuvendit.




