Karakaçi: Nuk kam ambicie për Bashkinë e Shkodrës, mbështes rikandidimin e Benet Becit
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka mohuar të ketë ambicie për të garuar në zgjedhjet lokale të 9 majit për kreun e Bashkisë së Shkodrës, duke theksuar se vëmendja e tij e plotë mbetet e përqendruar te detyra aktuale qeveritare.
Në një intervistë për gazetaren Sonila Agostini në RTSH1, Karakaçi u shpreh se e ushtron funksionin e tij çdo ditë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke nënvizuar se “unë nuk kam asnjë ambicie për t’u bërë kryetar bashkie i Shkodrës”. Ai shtoi se angazhimin e tij e sheh si “zotimin që unë kam marrë si individ për të bërë më të mirën që kam mundësi në detyrën time si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë”.
Duke folur në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Shkodrës, ministri nënvizoi se puna e tij politike në këtë zonë synon mbështetjen për rikandidimin e Benet Becit si kryetar bashkie.
Sipas Karakaçit, që nga viti 2023, kur Partia Socialiste mori drejtimin e Bashkisë Shkodër, janë shënuar “ndryshime jashtëzakonisht rrënjësore”, të cilat, sipas tij, tregojnë “se çfarë di të bëjë Partia Socialiste kur merr drejtimin e bashkisë”.
“Ajo çfarë unë po them është që unë jam ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, e bëj çdo ditë, zgjohem në mëngjes dhe mbyll natën duke menduar si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Jam drejtues politik në qarkun e Shkodrës dhe gjatë gjithë kohës kur unë vë kapelën e drejtuesit politik të qarkut Shkodër, bëj detyrën, bëj detyrën, bëj detyrën për të ndihmuar në përzgjedhjen përsëri të zotit Benet Beci si kryetar bashkie në Shkodër, për shkak se ndryshimet jashtëzakonisht rrënjësore që kanë ndodhur nga viti 2023 kur Partia Socialiste ka marrë drejtimin e Bashkisë Shkodër dhe tregoi se çfarë di të bëjë Partia Socialiste kur merr drejtimin e bashkisë”, shpjegoi Karakaçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



