Nga shorti i Euro U-21 e deri te zhvillimet e fundit në vend. Gjithçka që ndodhi në “Shtëpinë e Futbollit”

25 Nëntor 2026
17:41
Telesport
back button

Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV iu kushtua përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri, si edhe zhvillimeve më të fundit në futbollin shqiptar dhe aktivitetit të Kombëtareve.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin drejtori i Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, specialisti i Departamentit të Komercialit, Admir Bendo, si edhe gazetari sportiv Gjergji Stefa.

Një hapësirë të veçantë në emision zuri shorti i Kampionatit Europian U-21 2027, që do të hidhet këtë të enjte, më 26 nëntor, ku Shqipëria U-21 do të mësojë kundërshtarët e saj në fazën finale. Në emision u transmetua edhe një intervistë e trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi, për FSHF TV, ku foli për shortin dhe pritshmëritë për këtë kompeticion. Të ftuarit ndanë komentet e tyre edhe mbi kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë.

Përtej aspektit sportiv, diskutimi u përqendrua edhe te përgatitjet organizative për EURO U-21 2027 dhe puna që po zhvillohet nga FSHF për organizimin e këtij eventi madhor europian. Vëmendje mori edhe aktiviteti i veçantë që do të organizohet më 26 nëntor në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të zhvillohet një festë e vërtetë futbolli në kuadër të këtij kampionati.

Në emision u diskutuan gjithashtu vendimet e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ku u miratuan data e zhvillimit të Mbrëmjes Gala, ndërtimi i tri fushave të reja, rikonstruksioni i një fushe ekzistuese, si edhe modernizimi i kompleksit sportiv të Partizanit.

Një tjetër temë ishte paraqitja e legjionarëve shqiptarë në kampionatet europiane, ku disa prej tyre kanë qenë protagonistë me golat e shënuar. Shehu, Shpendi, Seferi, Tuci dhe Kerjota gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa Qazim Laçi kontribuoi me një asist. Të ftuarit analizuan formën dhe kontributin e futbollistëve shqiptarë në skuadrat e tyre.

Në fokus ishte edhe java e 12-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, me rezultatet e ndeshjeve dhe ndryshimet në renditje. Teuta, AF Elbasani, Skënderbeu dhe Vllaznia siguruan fitore, ndërsa Tirana dhe Vora u ndanë në barazim.

Gjithashtu, u diskutua edhe për Egnatian, e cila të enjten do të luajë ndeshjen e katërt në fazën e ligës së UEFA Conference League, përballë Lincoln Red Imps, në një tjetër sfidë europiane për kampionët e Shqipërisë.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe ligjit të sponsorizimit në sport, me të ftuarit që ndanë këndvështrimet e tyre mbi këtë çështje dhe ndikimin që mund të ketë skema e re e sponsorizimeve në zhvillimin e sportit dhe futbollit shqiptar.

Në fund, u prezantua edhe marrëveshja e sponsorizimit mes FSHF-së dhe Future Home Orange, që është bërë sponsori zyrtar i Kombëtares së të Amputuarve të Futbollit, një tjetër hap në mbështetje të këtij ekipi dhe zhvillimit të futbollit gjithëpërfshirës në Shqipëri.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet vendase, futbolli europian dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e futbollit në Shqipëri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit