Hetimet për skandalin financiar të Bankës Alta në Serbi po zgjerohen, me dy arrestime të reja në rrethin familjar dhe drejtues të biznesmenit Davor Matsura. Dubravko Matsura, vëllai i pronarit të bankës, dhe Tatjana Bundalo, drejtoreshë e kompanisë Alta Pay Group, u ndaluan këtë të mërkurë, nën dyshimet për përfshirje në skemën përmes së cilës dyshohet se janë përvetësuar rreth 390 milionë euro.
Sipas medias investigative serbe KRIK, të dy janë ndaluar për 48 orë. Dubravko Matsura pritet të merret në pyetje nga Prokuroria për Krimin e Organizuar, e cila më pas do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkohë, prokuroria po mbledh dokumentacionin për të sqaruar rolin e mundshëm të Bundalos në skemë.
Më herët, për të njëjtën çështje u arrestuan pronari i Bankës Alta, Davor Matsura, dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilët vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Sipas prokurorisë serbe, Matsura dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 45 miliardë dinarë, rreth 390 milionë euro, me ndihmën e dy punonjësve të departamentit të thesarit të bankës.
Dokumentet e prokurorisë, të siguruara nga KRIK, tregojnë se vetëm një pjesë e parave është tërhequr fizikisht nga kasaforta, ndërsa pjesa tjetër nuk ka mbërritur kurrë atje.
Rreth 17 milionë euro dyshohet se janë nxjerrë fizikisht nga kasaforta pa u pasqyruar në dokumentacionin bankar. Pjesa dërrmuese e shumës lidhet me aktivitetin e kompanisë së këmbimit valutor Alta Pay. Paratë e kësaj kompanie rezultonin të regjistruara si depozita në thesarin e bankës, por prokuroria dyshon se Matsura i kishte mbajtur për vete.
Hetimet mund të përfshijnë edhe nivelet më të larta të institucioneve financiare serbe. Në listën e personave që pritet të pyeten si dëshmitarë figuron edhe guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviç. Ndërkohë, Davor Matsura i ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje.
Skandali ka sjellë edhe ndërhyrjen e Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila i hoqi licencën Bankës Alta për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare dhe rrezikimit të depozitave të qytetarëve. Banka tashmë administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa klientët mund të tërheqin deri në 50 mijë euro. Licenca iu revokua edhe kompanisë së parave elektronike të Matsurës.
Përtej dyshimeve për përvetësimin e qindra milionë eurove, çështja ka rikthyer vëmendjen te marrëdhëniet mes biznesit dhe pushtetit në Serbi.
Davor Matsura e ndërtoi dhe zgjeroi perandorinë e tij të biznesit gjatë dekadës së fundit, në periudhën kur Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiçit konsolidoi pushtetin. Ai e nisi aktivitetin si pronar i një pike këmbimi valutor në Zemun, në vitin 2008, ndërsa më pas u shndërrua në një biznesmen me interesa në sektorin financiar dhe tregtar.
Zgjerimi i aktivitetit mori hov në vitin 2016, pasi mori autorizimin nga Banka Kombëtare për arkëtimin e faturave. Me miratimin e të njëjtit institucion, ai bleu më vonë Jubmes Bank, të cilën e shndërroi në Bankën Alta. Matsura bleu gjithashtu rrjetin e supermarketeve Idea dhe, sipas KRIK, përfitoi kontrata të rëndësishme shtetërore, disa prej tyre pa tender.
Me pesë persona tashmë të arrestuar dhe guvernatoren e Bankës Kombëtare në listën e dëshmitarëve, hetimet po ngrenë pikëpyetje jo vetëm për mënyrën e funksionimit të skemës financiare, por edhe për mbikëqyrjen institucionale të zgjerimit të biznesit të Matsurës gjatë viteve të fundit.


