Durrësi pritet të përballet me reshje shiu me intensitet të lartë ditën e enjte, ndaj Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve të përditshme.
Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, kushtet atmosferike mund të krijojnë problematika në qytet dhe të sjellin situata që kërkojnë kujdes të shtuar.
Përmes një njoftimi, Bashkia e Durrësit ka kërkuar nga banorët të kufizojnë daljet që nuk janë të domosdoshme dhe të tregojnë vigjilencë për shkak të motit të keq.
Ndërkohë, institucioni bën me dije se është në gatishmëri të plotë. Strukturat e ndërmarrjeve vartëse, shërbimet e emergjencave dhe Policia Bashkiake do të jenë në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në rast situatash emergjente.

