Ukraina ka goditur bazën ajrore Savalyeka në rajonin e Nizhny Novgorodit, në lindje të Moskës, duke dëmtuar pesë avionë ushtarakë rusë që përdoren në sulmet kundër territorit ukrainas. Lajmi u bë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ndërsa Moska nuk ka reaguar ende ndaj raportimit.
Sipas njoftimit, nga sulmi janë dëmtuar tre avionë luftarakë MiG-31, të përdorur për lëshimin e raketave hipersonike, si dhe dy avionë luftarakë-bombardues Su-34. Të pesë mjetet ajrore janë nxjerrë jashtë shërbimit, të paktën për një periudhë të caktuar.
Goditja ndaj bazës ajrore është pjesë e një serie operacionesh ukrainase me rreze të gjatë veprimi, që synojnë të dobësojnë kapacitetet ushtarake dhe logjistike të Rusisë.
Në ditët e fundit, forcat ukrainase kanë goditur gjithashtu anije ruse në ujërat libiane dhe në Gjirin e Finlandës. Javën e kaluar, Ukraina shënjestroi edhe urën që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, duke dëmtuar pjesën rrugore të saj.
Kievi po intensifikon sulmet ndaj objektivave ushtarake ruse, ndërsa përballet me goditje të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe sulme të shtuara në qytetet pranë vijës së frontit.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevgeny Khmara, deklaroi këtë javë se forcat e vendit kanë shkatërruar 16 lëshues raketash balistike ruse gjatë muajve të fundit. Këto sisteme përdoren nga Moska për të kryer një pjesë të sulmeve ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, sulmet e përsëritura me dronë ndaj rafinerive ruse të naftës kanë ndikuar në kapacitetet e përpunimit të tyre. Sipas burimeve të industrisë, të cituara në raportim, vëllimi i përpunimit ka rënë me 45% që nga fundi i tetorit.
Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se do të vijojnë sulmet ndaj objektivave energjetike ruse derisa Moska të ndalojë goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

