Eksperti gjerman: BE-ja i injoroi paralajmërimet për Vuçiqin, SHBA-ja e ndali ushtrinë serbe drejt Kosovës
Politologu gjerman Alexander Rhotert ka kritikuar politikën e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke thënë se Brukseli për dekada ka bërë gabime në raport me Beogradin dhe se i ka injoruar paralajmërimet për ambiciet e Aleksandar Vuçiqit. Ai thekson se, pas sulmit terrorist në Banjskë më 2023, kur Vuçiq vuri në lëvizje ushtrinë serbe drejt Kosovës, ishte ndërhyrja amerikane ajo që e ndali atë.
Në një koment të publikuar më 24 nëntor në gazetën gjermane Tageszeitung (taz), Rhotert shkruan se Komisioni Evropian i kishte shpërfillur sinjalet paralajmëruese në kohën kur paraushtarakët besnikë të Vuçiqit përhapën terror në Kosovë, ndërsa presidenti serb vuri në lëvizje ushtrinë e tij.
“Komisioni i BE-së i injoroi sinjalet paralajmëruese, kur paraushtarakët besnikë të Vuçiqit përhapën terror në Kosovë në vitin 2023 dhe ai vuri në lëvizje ushtrinë e tij, e cila – edhe një herë – u ndal vetëm nga SHBA-ja”, shkruan Rhotert.
Ai ngre edhe një pyetje për pasojat që mund të kishte pasur mungesa e ndërhyrjes amerikane: çfarë do të ndodhte nëse kolonat e tankeve të Vuçiqit do ta kalonin kufirin verior të Kosovës?
BE-ja e trajtoi Vuçiqin si faktor stabiliteti
Kritika e Rhotertit ndaj Brukselit nuk kufizohet vetëm te zhvillimet e vitit 2023. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka gabuar vazhdimisht në politikën e tij ndaj Serbisë, duke i trajtuar udhëheqësit serbë si partnerë të domosdoshëm për stabilitetin rajonal, edhe kur veprimet e tyre tregonin të kundërtën.
Ai rikujton se BE-ja, gjatë luftërave të Serbisë kundër Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, e kishte pranuar për vite me radhë Slobodan Millosheviqin si partner negociues, ndërsa më vonë Aleksandar Vuçiqin e kishte konsideruar si “garant të stabilitetit” në Ballkan.
Rhotert përmend edhe ish-ndërmjetësin e BE-së, Lord David Owen, i cili gjatë rrethimit të Sarajevës, në dimrin e vitit 1992, u kishte thënë banorëve të qytetit të mos ëndërronin për ndërhyrje ushtarake perëndimore.
“Mos ëndërroni ëndrra!”, ishte mesazhi i Owenit, të cilin autori e rikthen si shembull të dështimeve të politikës evropiane në Ballkan.
Sipas tij, edhe pas sulmit në Banjskë dhe mobilizimit të ushtrisë serbe drejt Kosovës, Komisioni Evropian nuk reagoi me vendosmërinë që kërkonte situata.
Roli i SHBA-së në ndalimin e përshkallëzimit
Në kundërvënie me qasjen e BE-së, Rhotert vë në pah rolin e Shteteve të Bashkuara në parandalimin e konflikteve në Ballkan.
Ai rikujton se SHBA-ja i kishte ardhur në ndihmë Evropës edhe gjatë luftërave të viteve ’90, fillimisht pas gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 dhe më pas në Kosovë, më 1999, për të parandaluar një tjetër masakër të përmasave të Srebrenicës.
Sipas tij, edhe sot prania e forcave paqeruajtëse të BE-së dhe NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë dëshmon se rajoni vazhdon të përballet me sfida serioze të sigurisë.
Rhotert thekson se ambiciet serbomëdha nuk janë zhdukur, por kanë vazhduar edhe gjatë qeverisjes së Vuçiqit, i cili, sipas tij, që nga viti 2020 është përpjekur ta ringjallë projektin e Serbisë së Madhe përmes konceptit të “Botës Serbe”.
Ai paralajmëron edhe për rrezikun që paraqesin veprimet e Milorad Dodikut në Bosnjë-Hercegovinë, veçanërisht përpjekjet për shkëputjen e Republika Srpska-s dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Në fund, Rhotert kërkon që BE-ja të ndryshojë qasjen ndaj rajonit, duke mos i ofruar më mbështetje politike Beogradit pa përmbushjen paraprake të reformave dhe përgjegjësive konkrete.
Ndryshe, Rhotert është politolog që studion ish-Jugosllavinë që nga viti 1991. Ka punuar për rreth 20 vjet në organizata si OKB-ja, NATO-ja, OSBE-ja dhe BE-ja, kryesisht në fushën e zbatimit të paqes në Ballkanin Perëndimor./Demokracia















