Katër ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një tjetër i Komisionit të Kompesimit dhe Kthimit të Pronave dëshmuan të mërkurën më 25 nëntor në procesin gjyqësor penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Roland Llazari, ish-përgjegjës i Zyrës së Inventarizimit të Pronave të Paluajtshme pranë Ministrisë së Mbrojtjes gjatë periudhës 2002-2012 shpjegoi në funksion të pyetjeve që ju drejtuan nga prokurorja Enkeleda Millonai se, pronat inventarizoheshin sipas dokumenteve që zotronte struktura ushtarake dhe matjeve të përafërta që kryheshin. Ai tha se prona e paluajtshme ish-Sport- Klubi Partizani ishte dërguar për regjistrim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, por pa rezultat. Llazari pohoi se nuk kishte dijeni përse nuk ishte realizuar atëherë procedura e regjistrimit.
Millonai e pyeti për ecurinë e një takimi të zhvilluar të prill të vitit 2009 me ish-ministrin e Mbrojtes, Gazmend Oketa dhe zyrtarë të tjerë të këtij dikasteri. Llazari u përgjigj se megjithëse nuk mbante mend mirë për shkak të kohës që kishte kaluar, i kujtohej se ai dhe disa të tjerë nuk kishin qëndruar më shumë se një minutë në takim, pasi ministri kishte pasur debat me një prej funksionarëve të ushtrisë dhe i kishin nxjerrë jashtë.
Në përgjigje të pyetjeve të avokatëve, ai shpjegoi se edhe matjet e pronave bëheshin nga strukturat ushtrarake dhe se zyra që ai drejtonte kryente vetëm invetarizimin e tyre. Llazari deklaroi se nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë ndikim nga Berisha apo Malltezi.
Avokatët dhe Malltezi ngritën pretendime se gjithë pyetjet e drejtuara nga SPAK ishin jashtë kompetencave që dëshmitari kishte pasur në atë kohë. Malltezi shtoi se prokuroria kur e ka pyetur Llazarin e ka gënjyer, pasi nuk i ka treguar planin e përhapjes dhe se i ka dhënë tjetër dokument me qëllim që dëshmitari të bindej se prona ishte brenda atij plani.
Ardian Shahaj, ish-drejtor i një zyre për menaxhimin e pronave, deklaroi se nuk i kujtohej nëse ish-Sport- Klubi Partizani ishte i regjistruar apo se si i ishte nënshtruar procesit të privatizimit. Ai tha se as nuk mbante mend se çfarë kishte kërkuar me anë të disa shkresave që evidentoi prokuroria.
Erinda Ndroqi, ish-përgjegjëse e Sektorit të Ekonomisë në Drejtorinë e menaxhimit të Pronave deklaroi se i kujtohej pjesërisht takimi i zhvilluar me ministrin Oketa, por shtoi se ky i fundit iu kishte kërkuar të largoheshin, me argumentin se çështja duhej trajtuar nga strukturat ushtarake. Ajo tha se derisa kishte ushtruar detyrën nuk ishte kryer procedura për privatizimin e pronës objekt gjykimi.
Besnik Dervishi, ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit Oketa, shpjegoi se detyra e tij ishte të kujdesej për performancën politike të ministrit. Ai tha se për ish-Sport- Klubi Partizanin kishte mësuar atëherë se ishte në proces dorëzimi tek pronarët, por sipas tij, ishte proces administratv që ndiqej nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë. Dervishi deklaroi se nuk i kujtohej takimi i zhvilluar me ministrin për këtë çështje në prill të vitit 2009.
Malltezi e pyeti Dervishin se sa herë ishte thirrur nga prokuroria për t’u pyetur. Sipas ish-zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes, prokuroria e kishte thirrur tre herë. Malltezi vërejti se ndërkohë që ky dëshmitar ishte thirrur tre herë, ai i cili kishte ndryshuar destinacionin e pronës nuk ishte thirrur nga SPAK për t’u pyetur. Më parë, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë parashtruar në gjykatë, se ish-Sport- Klubi Partizanit ju ndryshua destinacioni nga zonë sportive në zonë banimi nga Këshilli Teknik i Bashkisë Tiranë, kur drejtohej nga kryeministri aktual, Edi Rama, që është thirrur prej tyre dhe si dëshmitar në këtë proces.
Ish-komisioneri i Komisionit të Kompesimit dhe Kthimitt ë Pronave, Bari Hodaj shpjegoi se kishte qenë relator i çështjes së kthimit të kësaj prone tek ish-pronarët. Ai shpjegoi se dosja përcaktohej me short dhe se kishin vepruar bazuar në vendimet e mëparshme të Komisionit.
Prokurorja Millonai e pyeti nëse ishte takuar ndonjëherë me Berishën ose nëse kishin udhëtuar bashkë. Hodaj tha se nuk ishte takuar asnjëherë me Berishën dhe as me Malltezin.
Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të avokates Klodiana Gjyzari lidhur me këtë rrethanë, duke shpjeguar se nga sa kishte lexuar në media, ka udhëtuar njëherë me avion për t’u kthyer në Shqipëri, kur aty kishte qenë dhe Berisha. Por ai këmbënguli se nuk e kishte parë Berishën në avion dhe as nuk e kishte takuar.
Pas pretendimit të dëshmitarit Paro Laçi se e ka të pamundur të vijë të dëshmojë, pasi ka bërë kërkesë për azil në Zvicër, gjykata vendosi që për të marrë deklarimet e tij, do të procedohet me kërkesën për ndihmë juridike vendit ku ai gjendet.
Prokurorja Millonai kërkoi në vijim thirrjen e pesë dëshmitarëve të tjerë, Nikoll Tushi, Naim Ramaj, Ahmet Roçi, Elez Sekthi dhe Fideli Gërmenji. “Kur drejtorët nuk mbajnë mend gjë, do thërrasim rojet,” vërejti prokurorja Millonai.
Në seancat e mëparshme, janë pyetur si dëshmitarë ish-funksionarë e zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas SPAK, i pandehuri Jamarbër Malltezi ka përfituar të ardhura mbi 5 milionë euro nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Sali Berisha që mundësoi privatizimin e ambjenteve të sport-klub Partizanit. Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Të pandehurit i kanë kundërshtuar akuzat e SPAK-ut, duke i cilësuar ato të bazuara mbi akte e të dhëna të pavërteta. Malltezi e ka quajtur procesin të stisur nga kundërshtarët politikë.
Seanca e radhës u shty për më datë 7 dhjetor, në orën 10:00.






