Gratë në Shqipëri vazhdojnë të kryejnë më shumë punë të papaguar se sa burrat. Raporti i UN Women, mbi “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, i publikuar në vitin 2026, evidenton se gratë shpenzojnë mbi 5 orë çdo ditë për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar, ndërsa burrat u kushtojnë të njëjtave përgjegjësi vetëm rreth 50 minuta në ditë.
Diferenca është më shumë se gjashtëfish, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare, me pasoja të drejtpërdrejta në pjesëmarrjen në tregun e punës, të ardhurat dhe mundësitë për zhvillim profesional.
Në vitin 2024, 30.7% e grave ishin jashtë tregut të punës, krahasuar me 17.7% të burrave. Mes personave joaktivë në tregun e punës, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë kryesore, kundrejt më pak se 1% të burrave.
Pabarazia nuk kufizohet vetëm te gratë që nuk punojnë. Edhe për ato që janë të punësuara, angazhimi i lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin familjar kufizon kohën në dispozicion për zhvillim profesional, avancim në karrierë dhe angazhim në aktivitete të tjera ekonomike.
Megjithëse puna e papaguar mundëson funksionimin e familjeve dhe mbështet aktivitetin ekonomik të anëtarëve të tjerë të tyre, vlera monetare e saj mbetet kryesisht e padukshme në statistikat ekonomike.
Shqipëria nuk ka ende një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, ndërsa politikat që lidhen me këtë sektor janë të shpërndara në dokumente dhe ligje të ndryshme, citohet në raportin e UN Women.
Një zhvillim i rëndësishëm është miratimi i ligjit nr. 64/2025 për Barazinë Gjinore, i cili njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe familjes.
Ligji parashikon gjithashtu promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë për të lehtësuar balancën ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare.
Raporti nënvizon se investimet në shërbimet publike të kujdesit, veçanërisht në çerdhe, kopshte dhe shërbime për të moshuarit, mund të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe, për rrjedhojë, në zhvillimin ekonomik të vendit.













