Nga xhubleta te fustanella, ekspozita në Prishtinë për veshjeve tradicionale shqiptare: Shprehja më të bukura e trashëgimisë sonë kulturore Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Bruksel të Belgjikës, ku ka zhvilluar një komunikim me mediat në prag të takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në fokus të takimit janë partneriteti strategjik, procesi i zgjerimit dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Gjatë deklaratës së tij, Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi ka përmbushur kriteret përmes progresit demokratik, rritjes ekonomike, forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Ai rikujtoi se në mesin e muajit dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, ndërsa theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kryeministri kosovar nënvizoi se çështja e statusit kandidat është bërë urgjente dhe se Prishtina pret që Këshilli Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e një opinioni për aplikimin e Kosovës, si hap paraprak drejt avancimit të procesit.
“Jam shumë i kënaqur që ndodhem sërish në Bruksel. Kemi një takim shumë të rëndësishëm mes drejtuesve të Bashkimit Evropian, nga njëra anë, dhe liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga ana tjetër. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh, veçanërisht lidhur me hapat e mëtejshëm për Republikën e Kosovës.
Ne presim marrjen e statusit të vendit kandidat për vendin tonë. Ky proces është vonuar prej kohësh. Në mesin e muajit dhjetor do të bëhen katër vjet që nga aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Personalisht, e dorëzova aplikimin për anëtarësim në BE në Pragë të Republikës Çeke, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
Ne jemi i vetmi vend që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm njohjen dhe vlerësimin e progresit të Kosovës në drejtim të avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile.
Në renditjen e indekseve demokratike, ne jemi ose në vendin e parë, ose në vendin e dytë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se, ndonëse statusi i vendit kandidat ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, tani ai është bërë çështje urgjente.
E dimë se pothuajse çdo muaj zhvillohen zgjedhje në një vend të ndryshëm të kontinentit tonë. Dhe çdo gjë ka rëndësi. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare mundësie për zgjerimin e Bashkimit Evropian, për përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, për dhënien e statusit të vendit kandidat Republikës së Kosovës, si një çështje që lidhet me meritat, pasi është e qartë se ne e meritojmë atë.
Për të arritur në këtë pikë, fillimisht na duhet që Këshilli Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. Pra, ne nuk mund të marrim përgjigjen e Komisionit Evropian pa ia kërkuar fillimisht këtë opinion Këshilli Evropian.
Shpresojmë që kjo të ndodhë muajin e ardhshëm, kur më 14 dhe 15 dhjetor do të mbahet takimi i radhës i Këshillit Evropian. Dëshiroj të falënderoj të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen ndaj Kosovës, si në aspektin e paqes dhe sigurisë, ashtu edhe në atë të demokracisë dhe zhvillimit.
Kemi pasur një vit të jashtëzakonshëm. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, rritja ekonomike ka arritur në 4,7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tani, pas zgjedhjes së presidentit të ri, kemi stabilitet të plotë institucional për katër vitet e ardhshme. Ajo që na nevojitet në veçanti është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht i marrëveshjes për mobilitetin. Kjo nënkupton njohjen e diplomave dhe mundësinë që studentët dhe profesionistët të lëvizin lirisht dhe të integrohen në tregun e punës në të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nevojitet që Serbia të arrestojë dhe të dorëzojë terroristin Milan Radoiçiç, i cili, së bashku me 44 bashkëpunëtorët e tij paraushtarakë, organizoi pritën dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023, gjatë mandatit të ish-presidentit të Serbisë, z. Vuçiç.
Ai vazhdonte të lëvizte i lirë në Serbi, madje kishte marrëdhënie më të afërta me ish-presidentin Vuçiç sesa vetë truprojat e tij.
Tani shpresojmë që kjo situatë të ndryshojë. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë shoqërinë nga kriminelët.
Në të njëjtën kohë, duhet të zbatojmë vlerat e Bashkimit Evropian dhe jo ta trajtojmë atë vetëm mbi bazën e interesave të ndërsjella.
Gjëja e fundit që dëshiroj të përmend është se Kosova u përmbahet plotësisht parimeve evropiane, përfshirë vendimet për pranimin dhe zbatimin e të gjitha paketave të sanksioneve kundër Federatës Ruse, pas agresionit të saj brutal ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Unë mendoj se njëra nuk e përjashton tjetrën. Bashkimi Evropian merret njëkohësisht me shumë çështje. Unë bëj pjesë te ata që mendojnë se reforma e brendshme e BE-së dhe zgjerimi i tij i jashtëm ecin paralelisht dhe janë procese që përforcojnë njëri-tjetrin.
Duke përfshirë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, vetë Bashkimi Evropian bëhet Evropë. Ne jemi i vetmi gadishull jugor që ende nuk është përfshirë në të. Gjithashtu, në aspektin e sigurisë, kur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, kufiri i jashtëm i BE-së do të shkurtohet me 3.000 kilometra.
Është kënaqësi të jem përsëri në Bruksel. Ne kërkojmë statusin e vendit kandidat, sepse dëshirojmë të ndërmarrim reformat në administratën publike, në drejtësi dhe në arsim.
Nuk po e kërkojmë këtë si një favor, privilegj apo shpërblim, por thjesht si diçka që e kemi merituar përmes progresit demokratik, transformimeve të mëdha shoqërore dhe, veçanërisht, rritjes ekonomike dhe sundimit të ligjit”, tha Kurti.
Top Channel