Italia po përballet me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm portokalli në pjesën më të madhe të rajonit të Kampanias. Për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave, shkollat në Napoli dhe Salerno do të qëndrojnë të mbyllura të enjten, më 26 nëntor.
Sipas paralajmërimit të Mbrojtjes Civile, situata e motit të keq pritet të vijojë të paktën deri në orën 14:00 të së enjtes. Alarmi portokalli përfshin pothuajse të gjithë rajonin e Kampanias, me përjashtim të zonave Alta Irpinia, Sannio dhe Tanagro, ku është shpallur alarm i verdhë.
Paralajmërimi lidhet me rrezikun e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dherave dhe fenomeneve të tjera të paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike.
Në Napoli, bashkia ka vendosur mbylljen e të gjitha shkollave, publike dhe private, të çdo niveli. Masa përfshin gjithashtu parqet, plazhet publike dhe disa ambiente sportive. I mbyllur për vizitorët do të jetë edhe kompleksi historik Maschio Angioino.
Kufizime të ngjashme janë vendosur edhe në ishujt Ischia dhe Procida. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, lidhjet detare me tragetet e shpejta janë pezulluar për disa orë. Për të enjten, kryetarët e bashkive kanë urdhëruar gjithashtu mbylljen e shkollave, parqeve, kopshteve publike dhe varrezave.
Edhe në Salerno do të qëndrojnë të mbyllura shkollat publike, private dhe jopublike, si dhe çerdhet e kopshtet për fëmijë. Vendimi është marrë si masë parandaluese për të shmangur rreziqet që mund të shkaktojë moti i keq.
Paralajmërimet meteorologjike janë shtrirë edhe në rajone të tjera të Italisë. Në zonën e Dolomiteve, në Veneto, është shpallur alarm i verdhë për rrezikun e ortekëve në qafat malore dhe përgjatë rrugëve në lartësi. Sipas shërbimit meteorologjik rajonal, priten reshje të përhapura, mesatare deri lokalisht të forta, veçanërisht në zonat malore dhe kodrinore, si dhe në verilindje të ultësirës.
Ndërkohë, në Toskanë, Mbrojtja Civile ka zgjeruar alarmin e verdhë për rrezik hidrogjeologjik dhe hidraulik në pellgjet e lumenjve Arno, Ombrone Grossetano dhe Reno. Ky paralajmërim do të jetë në fuqi deri në orën 16:00 të së enjtes.

