Qeveria e re serbe propozon kufizimin e orarit të punës dhe të reality show-ve, detajet
Një javë pune katërditore, me 32 orë në javë dhe pa ulje të pagave, si dhe kufizime për transmetimin e programeve reality show, janë disa nga propozimet e programit të “Listës së Studentëve” në Serbi, e cila ka siguruar shumicën në parlament pas zgjedhjeve të 25 tetorit.
Sipas programit të kësaj lëvizjeje, kompanitë do të nxiten të aplikojnë modelin e ri të punës, duke ruajtur pagat aktuale të punonjësve. Megjithatë, masa nuk do të jetë e detyrueshme për të gjitha bizneset, por do të zbatohet nga ato që vendosin ta adoptojnë këtë organizim të orarit.
Propozimi parashikon reduktimin e javës së punës nga 40 në 32 orë, të shpërndara në katër ditë, pa ndryshuar nivelin e pagës. Në paketën e masave përfshihen gjithashtu kufizimi i orëve shtesë në maksimumi tetë në javë, kufizime për kontratat me afat të caktuar dhe e drejta e punonjësve për të mos iu përgjigjur kontakteve të punëdhënësve jashtë orarit zyrtar.
Masa të tjera synojnë përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë njoftimin e punonjësve të paktën shtatë ditë përpara për oraret e turneve dhe garantimin e të drejtave të punës edhe për personat e punësuar përmes agjencive, platformave apo kooperativave rinore.
Propozimet për javën katërditore të punës dhe kufizimin e programeve televizive janë pjesë e një programi më të gjerë që synon ndryshimin e politikave ekonomike dhe mediatike në Serbi.
Një tjetër masë e rëndësishme lidhet me transmetimin e programeve reality show. Sipas planit, televizionet me transmetim kombëtar nuk do të lejohen t’i transmetojnë këto formate përpara orës 23:00, ndërsa koha totale e transmetimit do të kufizohet në 45 minuta në ditë.
Programi parashikon që formate të njohura, si “Elita”, e ngjashme me “Big Brother”, të mund të vazhdojnë të transmetohen në platformat me pagesë, por me kufizime sipas moshës dhe mundësi kontrolli prindëror. Gjithashtu, televizionet do të detyrohen të ndërpresin menjëherë transmetimin në rastet kur shfaqen skena dhune, kërcënime apo gjuhë urrejtjeje.
Përfaqësuesit e lëvizjes i konsiderojnë këto programe si një simbol të kulturës së dhunës që, sipas tyre, është nxitur gjatë qeverisjes së mëparshme. Propozimet janë pjesë e një plani më të gjerë për reformimin e medias dhe rritjen e transparencës në sektor.
Megjithatë, zbatimi i këtyre masave mbetet i pasigurt. Edhe pse “Lista e Studentëve” ka siguruar 140 nga 250 vendet në parlament, qeveria e re ende nuk është formuar dhe nuk është bërë e ditur se kush do të jetë kryeministri.
Lëvizja u krijua pas protestave masive kundër korrupsionit, të nisura pas shembjes së një pjese të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestat e udhëhequra nga studentët u shndërruan gradualisht në një forcë politike që arriti të sigurojë shumicën parlamentare në zgjedhjet e 25 tetorit.
Ekspertët kanë shprehur rezerva për mundësinë e zbatimit të reformave ekonomike të propozuara. Vuk Vuksanoviç, ekspert i politikës së jashtme dhe pedagog në King’s College në Londër, i tha gazetës britanike “The Telegraph” se modeli i javës katërditore është më i përshtatshëm për ekonomitë e zhvilluara skandinave sesa për një vend me të ardhura mesatare si Serbia.
Ndërkohë, përtej reformave të brendshme, lëvizja do të duhet të përcaktojë edhe kursin e politikës së jashtme, veçanërisht marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Rusinë. Ajo synon të përshpejtojë procesin e integrimit evropian, por kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe kërkon të ruajë bashkëpunimin dypalësh.
Në lidhje me Kosovën, “Lista e Studentëve” mbështet vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por nuk ka shprehur gatishmëri për njohjen e pavarësisë së saj.
BE-ja i vendos Rusisë dy kushte për nisjen e negociatave të paqes për Ukrainën
Papa Leo XIV i bën thirrje botës të thyejë ‘zinxhirët ideologjikë dhe ekonomikë’ që nxisin luftën
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Rama krah liderëve europianë
- 18:51 Partia e Netanyahu-t kundërshton rezultatet e zgjedhjeve në Izrael, kërkon përsëritjen e votimit në 120 qendra
- 18:45 Rrufeja godet aeroplanin e Beshiktashit, duke e detyruar të bëjë ulje emergjente
- 18:41 Araghchi: Izraeli po përpiqet të bindë SHBA-në se Irani ka armë kimike
- 18:40 BE-ja i vendos Rusisë dy kushte për nisjen e negociatave të paqes për Ukrainën
- 18:28 Me homazhe dhe ceremoni festive, Elbasani përkujton 114-vjetorin e pavarësisë
- 18:20 “Lufta jonë ndaj korrupsionit, e paprecedentë në rajon”, Rama nga Brukseli: Nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri